Albin Kurti dhe Mefail Bajqinovci vizitojnë aktorin Osman Azemi në spital

- Bota Sot

Albin Kurti dhe Mefail Bajqinovci vizitojnë aktorin Osman Azemi në spital

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar sot humoristin e njohur Osman Azemi, i cili ndodhet në spital që prej një aksidenti të rëndë automobilistik që pësoi kohë më parë.

Në këtë vizitë, Kurti shoqërohej nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci.

Të dy sollën me vete dhurata simbolike për humoristin: një buqetë me lule për të uruar shërim të shpejtë dhe një shkop bejsbolli – siç e quajtën në mënyrë metaforike dhe humoristike “për të larguar të ligat”.

Në një atmosferë të ngrohtë dhe plot buzëqeshje, lideri i qeverisë dhe deputeti Bajqinovci u panë duke përqafuar dhe përshëndetur Azemin, ndërsa ky i fundit nuk i fshehu emocionet dhe mirënjohjen për vizitën.

Fotografitë nga ky moment prekës dhe njëherësh plot humor janë shpërndarë nga vetë Kurti në rrjetin e tij social Instagram, ku shkroi: “Buqetë me lule për shëndet të mirë, e ‘stupci’ për të larguar të ligat. Të paçim gjatë, Osman Azemi”.

Osman Azemi, i njohur për rolet e tij brilante në grupin e humorit “Stupcat”, është një nga figurat më të dashura të skenës humoristike.

Pas aksidentit që tronditi opinionin publik, shumë qytetarë dhe kolegë të tij kanë shprehur përkrahje dhe urime për rikuperim sa më të shpejtë.



Read it all at Bota Sot