Kiwior i shokuar mësoi për transferimin në Porto në mes të stërvitjes me Arsenalin – ishte Fabrizio Romano ai që e postoi

- Bota Sot

Kiwior i shokuar mësoi për transferimin në Porto në mes të stërvitjes me Arsenalin – ishte Fabrizio Romano ai që e postoi

Jakub Kiwior u largua nga Arsenali drejt FC Porto në formë huazimi njëvjeçar me detyrim blerjeje, por për mbrojtësin polak ky transferim erdhi si një surprizë e madhe.

Ai ka zbuluar se lajmin e mësoi jo nga klubi, por nga rrjetet sociale. Në një intervistë për gazetën portugeze O Jogo, 25-vjeçari rrëfeu momentin e pazakontë.

“Fabrizio Romano postoi ‘Here we go’ dhe menjëherë fillova të merrja dhjetëra telefonata e mesazhe urimi. Ishte e çuditshme, sepse unë sapo kisha hyrë në stërvitje”.

“Shokët e skuadrës e panë lajmin në telefonat e tyre dhe më pyetën pse po stërvitesha akoma nëse gjithçka ishte mbyllur”, deklaroi Kiwor.

Fillimisht, polaku zgjodhi të mos thoshte lamtumirë, pasi ende nuk kishte asnjë konfirmim zyrtar nga klubi. Vetëm një ditë më vonë, kur gjithçka u zyrtarizua, ai u rikthye në qendrën stërvitore të Arsenalit për t’i përshëndetur shokët e skuadrës.

“Shkova në fushë për t’i thënë lamtumirë lojtarëve dhe trajnerit. Ata madje bënë një tunel nderi për mua. Ishte një moment i vështirë, sepse nuk arrita të përshëndes të gjithë ata që doja dhe më duhej të bëja disa telefonata më pas”, shpjegoi ai.

Kiwior iu bashkua Arsenalit në janar 2023 nga Spezia për 20 milionë euro. Pas një aventure dyvjeçare në Londër, ai tani synon të rigjejë minutat e plota dhe të ndihmojë Porton në garën për titull në Portugali. 



Read it all at Bota Sot