Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka mbajtur konferencën për media para ndeshjes së parë kualifikuese për Kampionatin Botëror 2026, ku Kosova përballet me Zvicrën në Basel.
Foda u shpreh se është i kënaqur me formën e lojtarëve dhe beson se “Dardanët” mund të arrijnë rezultat pozitiv.
“Në ndeshjet e fundit patëm paraqitje të mira, sidomos ndaj Islandës. Por nuk duhet të harrojmë për paraqitjet e mira që ka pasur gjithnjë Zvicra, sidomos ndaj kombëtareve më të mira të botës.
Ndeshjet ndaj Zvicrës, kanë qenë përballje në të cilat Kosova kryesisht është mbrojtur. Në ndeshjen e nesërme do të synojmë të bëjmë presing të lartë dhe të tentojmë të marrim rezultat pozitiv,” tha Foda.
Ai foli edhe për lojtarët e rinj që janë pjesë e ekipit në këtë grumbullim, duke i vlerësuar lart talentet kosovare.
“Leon Avdullahu dhe Veldin Hoxha janë lojtarë shumë të mirë. Në dy seancat stërvitore janë paraqitur shumë mirë. Jam shumë i lumtur që ata janë këtu. Jam i sigurt që e ardhmja e tyre do të jetë e ndritur me Kosovën.”
Trajneri i “Dardanëve” nuk e fshehu emocionin për përkrahjen e madhe që pritet nga diaspora në Basel:
“Jam i vetëdijshëm për përkrahjen që Kosova do ta ketë nesër në Zvicër. Jam shumë i lumtur që do ta kemi një ambient të ngrohtë. Do të aplikojmë një stil më të hapur të lojës dhe shpresoj që kjo të sjellë fitore.”
Megjithatë, ai pranoi forcën e kundërshtarit dhe vështirësinë e grupit ku ndodhet Kosova:
“Nuk jemi të frikësuar, por kemi respekt pasi jemi të vetëdijshëm për forcën e Zvicrës. Ne shpresojmë që do të arrijmë diçka të madhe. Jemi në një grup shumë të fortë me Zvicrën, Suedinë dhe Slloveninë dhe nuk jemi favoritët, por futbolli ka dëshmuar shpeshherë historitë e suksesit me ekipet jofavorite.”
Kosova dhe Zvicra do të përballen të premten në Basel, ku pritet një numër i madh i tifozëve shqiptarë.