Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë të enjten se 26 vende janë pajtuar të marrin pjesë në garancitë e sigurisë për Ukrainën pas përfundimit të luftës, dhe se mbështetja e SHBA-së për këto garanci do të finalizohet në ditët e ardhshme.
Macroni foli pasi priti një ditë diplomacie hibride në Pallatin Elize në Paris të enjten.
Rreth 30 udhëheqës të aleatëve perëndimorë të Ukrainës u takuan me presidentin Volodymyr Zelensky për të biseduar për garancitë e sigurisë për vendin e shkatërruar nga lufta, të cilat do ta pasonin çdo marrëveshje për paqe të arritur me Rusinë për t’i dhënë fund konfliktit më të madh dhe më vdekjeprurës në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Bisedimet u pasuan nga një videokonferencë me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
Macroni tha se 26 vende “janë zotuar se do të dërgojnë trupa si forcë sigurie në Ukrainë ose do të jenë të pranishme në tokë, në det ose në ajër”.
Ai theksoi se këto forca nuk do të vendosen në vijën e frontit, por në zona që ende nuk janë përcaktuar.
“Në ditët e ardhshme do ta finalizojmë mbështetjen amerikane për këto garanci sigurie. Shtetet e Bashkuara, siç thashë, kanë qenë të përfshira në të gjitha fazat e këtij procesi”, tregoi Macron.
SHBA-ja ende nuk ka premtuar rol të qartë në Ukrainë pas luftës. Pjesëmarrja e saj shihet si thelbësore për t’i mbështetur përpjekjet e aleatëve.
Zelensky, në një konferencë të përbashkët me Macronin, tha se sapo një dokument paraprak të miratohet nga SHBA-ja, do të ndërmerren hapa të tjerë.
“Është e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara janë me ne. Sot biseduam me presidentin Trump. Shumë faleminderit për angazhimin e tij”, tha Zelensky.
Të dy liderët folën gjithashtu për përpjekjet për të siguruar një takim mes Zelenskyt dhe presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.
“Nëse Rusia vazhdon të mos pranojë bisedime konkrete për paqe... ne do të vendosim sanksione shtesë në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Macron.
“Këtë e shprehu edhe presidenti Trump më herët gjatë bisedës”, zbuloi ai.
Përpjekjet për ta bërë të mundur këtë takim mes tyre janë penguar vazhdimisht nga Moska.
Më 3 shtator, Putin tha se do të takohej me Zelenskyn në Moskë. Për shkak të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, kjo është e papranueshme për Zelenskyn, i cili ka propozuar vende neutrale si Turqia.
“Putini do të takohet me mua në Moskë. Kjo do të thotë se Rusia nuk dëshiron të ketë takim”, tha Zelensky në Paris.
Para bisedimeve në Paris, pritej me padurim një rezultat, pasi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, kishte thënë një ditë më parë se ai priste “qartësi” mbi garancitë e sigurisë që mund të ofroheshin në ditët e ardhshme.
Trump ka thënë në të kaluarën se vendet evropiane do të duhet ta mbajnë pjesën më të madhe të barrës për ofrimin e garancive, ndërsa SHBA-ja do t’i mbështesë operacionet “ndoshta... nga ajri”.
Uashingtoni ende nuk ka folur për rezultatet e bisedimeve të së enjtes.
Rusia thotë se e kundërshton praninë e trupave evropiane në tokën e Ukrainës.
Putin që paralajmëroi se Moska është e gatshme t’i “zgjidhë të gjitha detyrat tona ushtarakisht” nëse nuk arrihet një marrëveshje e pranueshme për paqe.
“Koalicioni i Vullnetit” që mori pjesë në bisedimet e Parisit përfshin rreth 30 shtete që mbështesin Ukrainën, kryesisht evropiane, por edhe Kanadanë, Australinë dhe Japoninë./REL