Themelorja anulon masën disiplinore “vërejtje me shkrim” që BQK-ja ia kishte shqiptuar punëtores

- Bota Sot

Themelorja anulon masën disiplinore “vërejtje me shkrim” që BQK-ja ia kishte shqiptuar punëtores

Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim, me të cilin ka anuluar rekomandimin dhe vendimin e Komisionit Disiplinor të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), me të cilin i ishte shqiptuar masë disiplinore “vërejtje me shkrim” paditëses Agbesa Sheqiri- punëtore në BQK, pas ankeses së dy ankueseve me pretendimin për sjellje të pahijshme ndaj tyre.

Sipas Themelores, nga provat e administruara dhe deklarimet e vet palëve ndërgjyqëse, është ardhë në përfundimin se me rastin e zhvillimit të procedurës disiplinore ndaj të paditurës Sheqiri nga BQK, kishte shkelje procedurale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë vendim, thuhet se në rastin e vërtetimit të shkeljeve të pretenduara disiplinore nga BQK-ja kundrejt paditëses, objekt vlerësimi i gjykatës gjatë procesit gjyqësor ishte nëse veç BQK kishte bërë vlerësim të drejtë të provave me rastin e zhvillimit të procedurës disiplinore ndaj paditëses.

Sipas vendimit të marrë më 25 korrik 2025, e paditura BQK nuk ka vërtetuar në mënyrë të drejtë gjendjen faktike, gjegjësisht nuk ka bërë vlerësim të drejtë të provave të administruara në procedurë disiplinore. Kjo për faktin se, sipas vlerësimit të Gjykatës, e paditura nuk ka arritur të argumentojë se me provat që Komisioni Disiplinor i saj i ka administruar në procedurë disiplinore, vërtetohen shkeljet disiplinore të paditëses, të cilat shkelje janë pretenduar nga parashtrueset e ankesës disiplinore.

Sipas Gjykatës, BQK si punëdhënës ka të drejtën e inicimit dhe shqiptimit të masave disiplinore, por me rastin e shqiptimit të tyre duhet të provojë me prova se është kryer shkelja nga punëtorët, e pastaj të vie deri te shqiptimi i masës.

Gjithnjë sipas vendimit të Themelores, nga arsyetimi i vendimit që BQK ka nxjerrë me rastin e shqiptimit të masës disiplinore ndaj Sheqirit, në arsyetim të vendimit me asnjë provë të vetme nuk ka argumentuar sjelljet e pahijshme, komunikimin verbal me elemente negative.

Sipas Gjykatës, vetëm pretendimi se ka pasur sjellje të pahijshme, nuk mund të shërbejë si bazë për shqiptim të masës disiplinore “vërejtje me shkrim”, përderisa pretendimi i tillë nuk gjen mbështetje në prova konkrete.

Gjykata ka gjetur se BQK-ja nuk i ka dhënë mundësi që në procedurë disiplinore paditësja të deklarohet mbi pretendimet e dëshmitarëve, pasi që fillimisht në procedurë disiplinore është dëgjuar paditësja Sheqiri, e pastaj dëshmitari.

Sipas vlerësimit të Themelores, fakti se paditësja kishte shqiptuar vërejtje me gojë ndaj parashtrueseve të ankesës dhe fakti se këto vërejtje janë anuluar nga bordi ekzekutiv i të paditurës, nuk mund të shërbejë si bazë për shqiptimin të masës disiplinore ndaj paditëses.

Në fund, Gjykata ia ka njohur shpenzimet e procedurës kontestimore palës paditëse, duke detyruar BQK-në t’ia paguajë shumën prej 382.2 euro.

Ndryshe, sipas padisë së parashtruar më 31 korrik 2024, paditësja Agbesa Sheqiri ka paditur Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, duke kërkuar që të anulohen Rekomandimi i datës 29 prill 2024, si dhe Vendimi i datës 27 qershor 2024.

Paditësja është e punësuar tek e paditura BQK në pozitën e udhëheqëses së Divizionit për Mbikëqyrjen Pensionale të Tregjeve nga viti 2014.

Sipas padisë, më 20 mars 2024, Komisioni Disiplinor ka pranuar nga Departamenti i Burimeve Njerëzore kërkesën e të punësuarave S.D., dhe V.A., kinse për shkelje disiplinore të bëra nga ana e tani paditëses.

Andaj, Komisioni Disiplinor me vendimin e datës 27 qershor 2024 ka marrë rekomandimin e 29 prillit 2024, me të cilin ka aprovuar si të bazuar vetëm pretendimin se paditësja ka bërë “sjellje të papranueshme dhe komunikm joadekuat për 10 vite me rradhë” ndaj dy të punësuarave S.D., dhe V.A.

Aty thuhet se Komisioni Disiplinor më 29 prill 2024 kishte rekomanduar shqiptimin e vërejtjes me shkrim për tani paditësen. Lidhur me këtë rekomandim, paditësja kishte ushtruar ankesë pranë Komisionit të ankesave të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, mirëpo pavarësisht se ankesa e paditëses kishte sqaruar mjaftueshëm arsyet e ankimimit, Guvernatori  i BQK-së ka marrë vendim me të cilin tani paditëses i ka shqiptuar masë disiplinore “Vërejtje me shkrim”.

Sipas padisë, Komisioni Displinor në asnjë rast nuk ka arsyetuar shkeljet të cilat i janë mveshur paditëses, si dhe nuk ka bërë asnjë përshkrim të asaj se për cilat “sjellje të pahijshme” është dhënë rekomandimi, e as pretendimet se kur paditësja nuk është sjellë në mënyrë të sjellshme apo profesionale dhe kur kinse e njëjta ka keqpërdorur autoritetin.

Gjithashtu, paditësja pretendon se i janë shkelur të drejtat e garantuara me legjislacionin në fuqi, pasi që rekomandimi i datës 29 prill 2024 dhe Vendimi i datës 27 qershor 2024 janë marrë duke zbatur në mënyrë të gabuar të drejtën materiale, duke konstatuar në mënyrë jo të plotë dhe të gabuar gjendjen faktike, me shkelje procedurale të krijuara gjatë marrjes së këtyre vendimeve, si dhe marrë këtu parasysh faktin se të njëjtët janë diskriminues, të anshëm dhe kundërthënës.

Andaj, paditësja Sheqiri ka kërkuar që të aprovohet në tërësi si e bazuar kërkesëpadia e saj, të anulohet rekomandimi i 29 prillit 2024 dhe vendimi i 27 qershorit 2024 i BQK-së. Po ashtu, ka kërkuar të obligohet BQK t’ia kompensojë paditëses shpenzimet e procedurës kontestimore. 



Read it all at Bota Sot