Marrëveshje për garanci sigurie për Ukrainën

- Bota Sot

Marrëveshje për garanci sigurie për Ukrainën

Shtetet perëndimore që mbështesin Ukrainën ranë dakord në një takim në Paris për një kuadër të gjerë garancish sigurie ushtarake për këtë vend. Në takimin e kryesuar nga Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri britanik Keir Starmer morën pjesë 35 krerë shtetesh dhe qeverish, disa personalisht dhe disa përmes lidhjes me video. Ata diskutuan se si mund të garantohet siguria e Ukrainës pas një përfundimi të mundshëm të luftës me Rusinë.

Sipas Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenski, i cili mori pjesë gjithashtu në takim, vendet e "Koalicionit të të Gatshmëve" janë të një mendjeje mbi kuadrin e përgjithshëm të garancive të sigurisë. Rëndësi qendrore ka sipas tij një ushtri e fortë ukrainase. Pas takimit të grupit në Paris ai tha se të gjithë ranë dakord që Rusia refuzon çdo iniciativë paqeje.

Macron: 26 vende duan të dërgojnë trupa

Sipas Macronit 26 vende janë gati të dërgojnë trupa për të siguruar armëpushimin ose paqen në Ukrainë. Këto vende janë zotuar zyrtarisht për të stacionuar trupa në Ukrainëose për të mbështetur Ukrainën dhe për të siguruar paqen përmes pranisë nga toka, deti ose ajri, tha Macron pas bisedimeve. Franca dhe Britania e Madhe kishin rënë dakord që para takimit që të dërgonin disa mijëra trupa në Ukrainë. Danimarka, Estonia dhe Lituania gjithashtu u zotuan ta bëjnë këtë. Suedia shprehu gatishmërinë e saj për të siguruar një paqe të mundshme në Ukrainë përmes mbikëqyrjes ajrore dhe nga deti. Holanda deklaroi se mund të ofronte ndihmë nga ajri, deti dhe toka.

Macron tha se shtete të tjera po shqyrtojnë nëse do të marrin pjesë në garancitë për sigurinë, tha Macron. "Kjo trupë ushtarake nuk ka as vullnetin dhe as objektivin për të zhvilluar luftë kundër Rusisë, përkundrazi ka për qëllim të sigurojë paqen dhe të dërgojë një sinjal të qartë strategjik."

Gjermania nuk planifikon të dërgojë ushtarë

Kancelari Friedrich Merz nuk ishte i pranishëm personalisht në Paris, por mori pjesë në takimin përmes lidhjes me video. Për Gjermaninë përparësia e parë është pajisja e forcave të armatosura ukrainase në mënyrë që vendi të mund të vetëmbrohet. Qeveria gjermane do të vendosë për gjithçka tjetër vetëm pas një armëpushimi. Berlini zyrtar e refuzon, të paktën për momentin, dërgimin e ushtarëve të Bundeswehr-it në Ukranë. Megjithatë sipas raportimeve të medias qeveria gjermane planifikon të forcojë mbrojtjen ajrore të Ukrainës, të mbështesë vendin për ndërtimin e sistemeve të armëve dhe të ofrojë ndihmë të mëtejshme për trajnimin e ushtarëve ukrainas. E gjitha kjo, vetëm nëse SHBA-ja vazhdon angazhimin e saj në Ukrainë./DW



Read it all at Bota Sot