Talenti 16-vjeçar i Partizanit përgjigjet me supergol në Poloni

- Bota Sot

Talenti 16-vjeçar i Partizanit përgjigjet me supergol në Poloni

Elson Himallari ka shkëlqyer dje me gol, ndërsa Kombëtarja U17 barazoi 1 me 1 përballë Polonisë.

Talenti 16-vjeçar i Partizanit u aktivizua në pjesën e dytë nga trajneri Fatjon Tafaj. Ishte minuta e 54-t, kur Himallari u fut në fushë. Dhe vetëm 13 minuta më vonë shënoi një gol mjaft bukur. Topin e rikuperoi vetë në mesfushën kundërshtare dhe i dribloi kundërshtarët polakë, para se të gjente rrjetën.

Kombëtarja U-17 u kontestua për paraqitjet, pas Europianit historik në muajin maj. Asnjë nga futbollistët në grupmoshat e Superiores nuk u ftua, ndërsa vetë ekipi U-17 i Partizanit kishte fituar kampionatin.

Rasti i Himallarit është nga episodet ku ftesa mungon pa arsye konkrete. Kjo pasi në grupmoshat U-14, U-15 dhe së fundmi U-16, Himallari është shpallur golashënuesi kryesor i Superiores.

Fulvio Pea, drejtor teknik në FSHF që po kujdeset drejtpërdrejt për listat, ka patur ndikimin e tij për ta nxjerrë jashtë planeve. Mungesa e ftesës së Elson Himallarit te Kombëtarja U-17 në muajin gusht, solli çudi te klubi i Partizanit.

Talenti 16-vjeçar, me minuta në këmbë nga Liga e Konferencës, nuk u konsiderua për dy miqësoret me Italinë. Ishte presioni i të kuqve më pas, që ndikoi për t’u thirrur në shtator.

Shqipëria U-17 ndodhet në Poloni për turneun “Syrenka Cup”. Të ftuar nga Partizani janë edhe Dion Vata, Robin Balla dhe Frensi Mali. Ndaj Polonisë e nisi si titullar Vara, 16-vjeçari tjetër që ka debutuar me ekipin e parë të Partizanit. Sfida e radhës për kuqezinjtë ndërkohë do të jetë nesër, kundër Norvegjisë në orën 13:00. E fundit zhvillohet përballë Rumanisë, më 9 shtator ora 11:00.



Read it all at Bota Sot