Allegri është gati të rikthejë liderin e vet absolut; Rafael Leao. Portugezi, i ndalur nga një dëmtim në Kupën e Italisë kundër Barit, ka munguar në dy javët e para të Serie A. Mungesë që ka konfirmuar edhe më shumë rolin qendror të tij në projektin e Milanit.
Leao është stërvitur me grupin në Milanello, duke treguar dëshirën për t’u rikthyer në formën më të mirë menjëherë pas pushimit (kualifikueseve të kombëtareve).
Me të, Allegri nuk do ta ndryshojë modulin 3-5-2, por mënyrën e interpretimit të lojës. Rafa, ndryshe nga Gimenez që e ka zëvendësuar, është një sulmues i lëvizshëm, i aftë të mos iu japë pika fikse referimi kundërshtarëve. Në krah të Pulisic, ai do të shtojë fluiditet dhe befasi në fazën ofensive, ndërsa alternativat Gimenez dhe Nkunku mund ta kthejnë skemën në një “trident” të rëndë gjatë lojës.
Për Leao kjo do të jetë eksperiencë e re, pasi nga anësor i majtë do të transformohet në qendërsulmues. Për të, më pak sprintime, më shumë finalizim dhe detyra për të krijuar hapësira për mesfushorët si Loftus-Cheek e Fofana, të cilëve Allegri iu kërkon 15 gola.
Përtej taktikës, trajneri e sheh Leao si simbol brenda e jashtë fushës, duke i kërkuar pjekuri dhe fokus të plotë. Rafa e di; është ylli teknik i Milanit dhe rikthimi i tij mund ta ndryshojë fytyrën e kuqezinjve.