Greqia në krizë të thellë demografike/ Mbyllen mbi 700 shkolla, 150,000 nxënës më pak se në 2019-ën

- Bota Sot

Greqia në krizë të thellë demografike/ Mbyllen mbi 700 shkolla, 150,000 nxënës më pak se në 2019-ën

Greqia po përballet me një krizë të thellë demografike, e cila ka çuar në mbylljen masive të shkollave në të gjithë vendin.

Sipas të dhënave nga Ministria Greke e Arsimit, për vitin akademik 2025-2026, do të pezullohet funksionimi i 721 shkollave nga gjithsej 13,478, për shkak të mungesës së numrit minimal të nxënësve. Kjo shifër është në rritje të vazhdueshme prej vitesh.

Rënia më e theksuar vihet re në arsimin fillor, ku pritet të mbyllen 324 shkolla fillore dhe 358 kopshte për vitin 2025-2026 — një rritje e ndjeshme krahasuar me vitin 2018-2019, kur numri i mbylljeve ishte përkatësisht 247 dhe 312, sipas Greekreporter.

Ky fenomen nuk po prek vetëm zonat rurale dhe ishujt, por edhe qendrat urbane si Athina. Popullsia e përgjithshme e nxënësve për vitin shkollor 2025-2026 pritet të jetë rreth 1.21 milion, një rënie prej më shumë se 150,000 nxënësish krahasuar me vitin 2018-2019.

Rënia e lindshmërisë, emigracioni dhe plakja e popullsisë janë ndër faktorët kryesorë që po ndikojnë në këtë krizë arsimore, që për shumë ekspertë përfaqëson një kërcënim serioz për të ardhmen demografike dhe sociale të vendit.



Read it all at Bota Sot