Vdes gazetari dhe publicisti Rexhep Torte

- Bota Sot

Vdes gazetari dhe publicisti Rexhep Torte

Më datë 04-09-2025 u nda nga jeta Rexhep Torte.

U lind në një familje fisnike me rrënjë dhe taban tradicional dibran. Skollën fillore dhe të mesmen i ndoqi në Dibër, ndërsa studimet e letërsisë Botërore i ndoqi në՞ Beograd.

Si nxënës i pëlqente të lexojë, të recitojë bukur dhe të merrej me shkrime. Tregimin e parë e shkruajti si nxënës i klasës së tetë fillore mbi bazën e nje teme të lirë.

Ky tregim u lexua edhe në klasët e tjera të shkollës.

Poezinë e parë e botoi si nxënës i klasës së parë të gjimnazit, poezi që u botua në “Flaka e Vëllazërimit” dhe që i kushtohej Patris Lumunbës, revolucionarit të shquar Jugoafrikan për liri dhe pavarësi. Pas kësaj poezitë e tij vazhdoi t’i botojë në revistën letrare “Jehona” në Shkup dhe në të përjavshmen “Zëri i Rinis” në Prishtinë. Ishte shumë aktiv në Klubin Letrar të Gjimnazit ku organizoheshin orë letrare në shkollat e Dibrës dhe në gjimnazin e Strugës.

Si student në Beograd u aktivizua në Shoqatën Letrare studentorë “Përpjekja”, ku në vitin 1967 i zgjodh kryetar i kësaj shoqate, duke u dhënë hov të madh aktiviteteve të studentëve shqiptarë me zgjerimin e këtsaj shoqate në Letrare-Muzikore, sepse asokohe në Beograd studjonin shumë studentë në Akademinë e Muzikës, si edhe kishte shumë studentë të talentuar të këngëve popullore dhe argëtuese shqipe.

Rexhep Torte ishte organizator i mbrëmjeve letrare në Beorgrad ku merrnin pjesë poetë dhe prozatorë të shquar si Setki Imami, Rexhep Zogaj, Rexhep Hoxha, Maksut Shehu, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Rexhep Hoxha, Maksut Shehu etj.

Me progaramet letrare-muzikore Shoqata studentore “Përpjekja” krijoi lidhje të forta dhe vizita të ndërsjella me studentët shqiptarë në Zagreb, Lubjanë, Sarajevë, Prishtinë, Shkup, Dibër dhe Strugë.

Viti 1967 ishte viti i shënimit të 500 vjetorit të lindjes së Skenderbeut dhe 10 vjetori i themelimit të Shoqatës Letrare “Përpjekja”, me ç’rast u organizuan manifestime solemne në Beograd, në Shoqatën studentore “Shkëndija” në Zagreb, në shoqatën studentore “Lulzimi” në Sarajevë, me studentët e Lubjanës si edhe Shkup, Dibër dhe Strugë.

Asokohe Shoqata studentore “Ramiz Sadiku” në Prishtinë të cilën e udhëhiqte gjakovari Ali Gojani kishte përgatitur dramën “Trimi i mirë me shokë shumë” të autorit Sulejman Pitarka me regji të Kristë Berishës.

Rolin kryesor në këtë dramë e luante Hasan Salaj, spiker i Radio Prishtina, ndërsa Zekerija Çarkaxhiu-Zuka nga Gjakova kishte shkruar, komponuar dhe këndonte personalisht duke luajtur me fizharmonikë këngën “Trim o Skenderbe”.

Kjo dramë u shfaq me sukses në Prishtinë, Gjakovë dhe në shumë qytete të Kosovës, por edhe në Dibër dhe Strugë.

Ishte idea e Rexhep Tortes që gjatë vizitave në Dibër të gjithë studentët pjesëmarrës të programeve të shpërndahen për të flejtë nëpër familjet dibrane, me çka u krijuan vëllazëri e miqesi që vazhdojnë edhe në ditët e sotme.

Kjo ishte periudha kur Rexhep Torte e intensifikoi bashkëpunimin me të përditshmen “Rilindja“ në Prishtinë. Aty pati mundësi të njihet nga afër më Ramiz Kelmendin, Maksut Shehun, Anton Pashkun, Fehmi Baftiun, Ibrahim Kadriun, Gani Bobin, kryeredaktorin Shemsi Mehmeti etj.

Në nëntor të vitit 1967 Dibrën e goditi një tërmet i fuqishëm ku pati tri viktima, të plagosur dhe dëme të mëdha materiale.

Rexhep Torte regullisht i botonte në të përditshmen “Rilindja” tekstet e tij pas tërmetit. Kohë pas kohe në Dibër vinin edhe gazetarët Maksut Shehu dhe Fehmi Baftiu. Ndihma e parë në ditën e parë pas tërmetit ishin kamionët me bukë nga Kaçaniku. Në momentin kur Qeveria e Maqedonisë filloi të bëjë pengesa për dërgimin e ndihmave në Dibër Sali Bajra-kryetar i komunës së Kaçanikut e bllokoi rrugën Shkup- Kaçanik, derisa autoritetet maqedonase filluan t’i lejojnë ndihmat për në Dibër.

Qeveria e Maqedinisë asokohe xhirollogrinë për arritjen e ndihmave në vend në Dibër e hapi në Shkup dhe ndihmat në Dibër arrinin me vonesë. Kështu lindi idea që gazetari Maksut Shehu të kontaktojë me kolegun e tij kroat Salih Zvizhdiq, gazetar i “Vjesnik u Srijedu” të Zagrebit, të cilit nga Dibra ia dërguam tekstin dhe fotografitë dhe Sali Zvizhdiq pas dy ditësh e botoi në faqen e parë të gazetës tekstin me titull “Baboravljeni Debar”.

Ky shkrim i botuar në gazetën e Zagrebit bëri që të nesërmen në Dibër erdhi për vizit Mika Shpiljak-Kryeministri i atëhershëm në ish Jugosllavi.

Gjatë shëtitjes nëpër qytet për t’i shikuar dëmet nga tërmeti, kryeministrit Mika Shpiljak i doli para Rem Hasa-kryeplaku i fshatit Sollokiç, duke e përshëndetur dhe duke i thënë, “Po bëhen gati dy muaj që ne banorët e fshatrave përreth kufirit na kanë lënë pas dore. Për ne nuk interesohet askush. Na ka mbetur ose të mbytemi në lumin Dri, ose të kalojmë në Shqipëri”.

Kryeministri Mika Shpiljak, pas shëtitjes nëpër qytet në mbledhjen e aktivit politik të Dibrës e ndërpreu disakutimin e S. H., kryetarit të Lidhjes Socialiste në Dibër, duke i thënë, “Duhet të angazhoheni dhe t’i ndihmoni edhe fshatrat. Ai përfaqësuesi i fshatrave që më doli para u shpreh qartë se fshatrat i keni harruar fare. Përveshmi mëngët dhe punoni më shumë për t’i ndihmuar tërë banorët, e jo vetëm qytetin”. Pas kësaj gjendja në dhënien e ndihmave u përmirësua dukshëm.

Reportazhi që Rexhep Torte e botoi me rastin e Vitit të Ri pas tërmetit u shpërblye nga redaksia me çminin e parë.

Rexhep Torte gjatë kohës sa ishte kryetar i Shoqatës Letrare-Muzikore “Përpjekja” ndikoi që në Dibër të vijnë të japin koncerte edhe SHKA “Hajdar Dushi” nga Gjakova dhe “Shota” nga Prishtina.

Rexhep Torte ishte edhe nismëtari për riaktivizimin e SHKA “Liman Kaba” të Dibrës e cila e kishte ndërprerë aktivitetin që në vitin 1952.

Nëpërmjet Entit për Përparimin e kulturës në Prishtinë organizoi që edhe SHKA “Liman Kaba” të jep koncerte nëpër qytetet e Kosovës.

Në njërin nga koncertet që Shoqata Letrare-Muzikore “Përpjekja” në prill të vitit 1967 shfaqi koncertin n’ sall’n e mbushur përplot ku Rexhep Torte lexoi edhe një poezi të tij.

Pas përfundimit të koncertit poeti Din Mehmeti, që ishte edhe kryetari i Klubit Letrar në Gjakovë, hypi në skenë dhe e uroi përzemërsisht Rexhep Torten me fjalët, “Të lumte na e ringjalle dëshirën për të dëgjuar poezi dhe je i ftuar të marrish pjesë në Metingun e Parë të poezisë në Gjakovë që do të mbahet më 9 maj në Ditën e fitores ndaj nazifashizmit.

Rexhep Torte mori pjesë në metingjet e poezisë në vitet 1967 dhe 1968 dhe ishte i vetmi poet që në këtë meting që mbahej në stadiumin “Shani Nushi”, publiku kërkonte që të del për të dytën herë lexuar edhe një poezi.

Në vitin 1968 Rexhep Tortes ndërsa po i afrohej mikrofomit për të dytën herë me kërkesë të publikut i erdhën në mendje vargjet, “Për Dibrën time derdh lot dhe të shtrenjtin gjak, por edhe për ty Gjakovë kurrë jo më pak”, vargje që e ndezën tërë stadionin të buçasë nga duartrokitjet.

Rexhep Torte e themeloi edhe Lidhjen e studentëve në Dibër sëbashku me Qeram Telqiun dhe Amedan Janin, që kishte për qëllim evidentimin e studentëve dibranë ku studjonin dhe në çfarë degësh të fakulteteve.

Kjo lidhje e studentëve në Dibër mori nismën e guximshme për atë kohë që nxënësit maqedonas të fillonin ta mësonin tre orë në javë gjuhën shqipe. Për këtë nismë patën edhe mbështetjen e Abdyl Vojnikës-kryetarit të atëhershëm të Dibrës, si edhe të arsimtarëve Emin Pustina dhe Refik Qatipi.

Për fat të keq kjo nismë dështoi, sepse vendimin e Shkollës fillore “Vllazrim Bashkim” nuk e respektuan prindërit maqedonas, të cilët në orën e parë të mësimit të gjuhës shqipe vetëm tre prindër i kishin lejuar fëmijët e tyre të vijnë atë ditë në shkollë.

Në vjeshtën e vitit 1971 Rexhep Torten e ftoi në Prishtinë Rexhep Zogaj, drejtor i NGP “Rilindja”, me ç’rast i komunikoi e se redaksia e “Rilindjes” kishte vendosur t’i përforcojë korrespodenturat e saj në Maqedoni dhe se kishin vendosur që Rexhep Zllatku që asokohe ishte korrespondent nga Shkupi të jetë korrespondent nga Shkupi, Tetova dhe Kumanova, ndërsa Rexhep Torte të jetë korrespondent nga Dibra dhe varësisht nga ngjarjet ta mbulojë edhe Gostivarin dhe Strugën dhe Kërçovën.

I nisur nga dëshira për të punuar si gazetar dhe të jetë afër prindërve që kishin sakrifikuar aqë shumë për të, Rexhep Torte pa hamendje e pranoi këtë propozim dhe në muajin nëntorr filloi punën me një enthuziazëm të madh.

Ky enthuziazëm u përmbys shumë shpejt kur një mbremje dhjetori të vitit 1971 në Ditarin televiziv të RTV të Maqedonisë, spikerja Branka Stankovska me zërin e saj kumbues kishte informuar opinionin se Aktivi Politik i Dibrës kishte vendosur që Rexhep Torte nuk mund të jetë korrespondent i “Rilindjes” nga Dibra.

Rexhep Torte atë mbrëmje për shkak të difektit në televizionin e shtëpisë nuk nuk e kishte dëgjuar këtë lajm të hidhur.

Faton Daci, arsimdashësi dibran për këtë lajm të hidhur i pari e kishte informuar babain e Rexhep Tortes Hakiun që punonte si shitës në një dyqan në qendër të qytetit.

Babai Hakiu sapo e kishte vërejtur Rexhepin duke ecur rrugës shumë i shqetësuar kishte dalë nga shitorja për ta informuar Rexhepin për këtë lajm.

Me ardhjen e shqypit ditor kah ora 10 e paraditës tërë lexuesit dhe vetë Rexhep Torte e lexuan këtë lajm të çuditshëm dhe neveritës, sepse Rexhep Torte ishte gazetar korrekt dhe nuk kishte botuar ndonjë tekst problematik.

Rexhep Torte më vonë e kuptoi se N. L., asokohe deputet republikan, drejtor i Radio Dibra dhe korrespondent i të gjitha gazetave joshqipe në Maqedoni dhe Serbi dhe H. B., sekretar në Pallatin e Kulturës, zv/drejtor i radio Dibra dhe korrespondent i “Rilindjes” dhe “Flaka e Vëllazërimit” nga Dibra, kishin dhënë deklaratë në Komitetin e LKJ-së dhe në polici se Rexhep Torte gjoja paska qenë në anën e demostratave studentore të Zagrebit, se paska kritikuar programin e LKJ-së, pushtetin e atëhershëm dhe fjalimin e Titos.

E përditshmja “Politika” e Beogradit më 25 dhjetor 1971 kishte botuar tekstin me titull “ U Debru nepozhejlan dopisnik “Rilindja”.

Siç tregonte Rexhep Torte atë ditë kishte kërkuar kahmos t’i takojë këta dy intrigantë, por pa sukses. Kishte vajtur në Komitetin e LKJ për të pyetur ku qëndron puna, por askush nuk e kishte pranuar në zyrë.

Në atë kohë J. A. ishte kryetar i LKJ, S. A., ishte kryetar i LS dhe B. V., ishte kryetar i sindikatave.

Pas kësaj Rexhep Torte u arrestua dhe pas hetimeve të bëra u lirua të mbrohet në liri, duke e ftuar kohë pas kohe në hetuesinë republikane në Shkup.

Interesi i këtyre dy intrigantëve për ta larguar gazetarin Rexhep Torte nga Dibra ishte, droja meskine e N. L. se mos ia merr Rexhep Torte “Veçernje Novostin” apo “Tanjugun” pasi e njihte gjuhën serbokroatishte pasi kishte studjuar në Beogard, ndërsa për H. B. ishte droja meskine se me emërimin e Rexhep Tortes gazetar në “Rilindje”, do ta humbte honorarin që merrte në “Rilindje”.

Çuditërisht pas përjashtimit të Rexhep Tortes nga redaksia “Rilindja”, H. B. vazhdoi të jetë korrespondent i “Rilindjes” nga Dibra, ndërsa N. L., si shpërblim nga pushteti i atëhershëm u pajis me doktoranturë fiktive.

Ndërkaq interesi i vërhushkës politike të Dibrës ishte që ta flijojnë gazetarin Rexhep Torte dhe t’i tregojnë pushtetit të atëhershëm monist se janë vigjilentë si edhe dhe për t’i ruajtur postet e tyre, sepse Rexhep Torte ishte nga një familje e vogël dhe pa krahë për ta mbrojtur dikush.

Në këto ndodhi gazetarin Rexhep Torte e befasoi edhe qënduimi i redaksisë së “Rilindjes”, e cila edhe pse Rexhep Torte nuk kishte botuar asnjë tekst problematik, letrën që ia kishte dërguar Aktivi Politik i Dibrës e botoi në gazetë dhe poshte saj edhe qëndrimin e redaksisë, ku thuhej, “Edhe redaksia e “Rilindjes” heqën dorë nga korrespondenti i saj Rexhep Torte në Dibër”.

Siç tregonte Rexhep Torte ky qëndrim i papërgjegjshëm i reaksisë “Rilindja” e kishte befasuar dhe dëshpëruar së tepërmi.

Kështu që me Rexhep Torten mbetën vetëm Zoti i Madhërishëm, prindërit dhe shokët e tij të cilët nuk e braktisën asnjëherë.

Rexhep Torte më vonë e kuptoi se Aktivi Politik i Dibrës lidhur me intrigën kundër tij kishte mbajtur mbledhje disa net radhazi, në këtë Aktiv Politik kishte persona që e mbanin veten të ndershëm, por asnjëri prej tyre nuk iu vu në mbropjtje ose nuk e sinjalizoi Rexhep Torten se për çka bidesohet në këto mbledhje.

Në muajt e parë të fillimit të kryerjes së shërbimit ushtarak në vitin 1972 në Çernomelj të Sllovenisë, Rexhep Tortes me qëllim diskreditimi i erdhi ftesa për mbajtjen e procesit gjyqësor kundër tij. Procesi gjyqësor është mbajtur në Dibër, ka zgjatur më shumë se pesë orë në praninë e shumë qytetarëve kuriozë. N. L. dhe H. B. gjatë ballafaqimit i thënë të njejtat gjëra që kishin deklaruar në LKJ dhe në polici.

Shehat Marku-kryetar i trupit gjykues përkundër presioneve të mëdha nga Sigurimi shtetëror i Maqedonisë, mbeti i palëkundur dhe e shpalli të pafajshëm gazetarin Rexhep Torte.

Pas kryerje së shërbimit ushtarak mbi bazën e ankesës së prokurorit Tome Buzharovki, lënda u kthye në rigjykim, dhe tani lëndën e mori asokohe Vojisllav Zhivkoviq kryetari i Gjyqit në Dibër.

Këtij synimi ogurzi, Rexhep Torte iu përgjegj më kalim në izolim shtatëmujor, gjersa lënda skadoi.

Rexhep Torte dha një kontribut të rëndësishëm duke informuar në mediat në gjuhën shqipe në Kosovë dhe në Maqedoni për zhvillimit e luftës së UÇK-së në vitin 19998/99 në Kosovë dhe pas saj, si edhe gjatë zhvillimit të luftës së UÇK-së në vitin 2001 në Maqedoni dhe pas përfundimit të Luftës.

Bashkëpunimi i Rexhep Tortes si gazetar vazhdoi edhe në të përditshmet “Fakti”,“Lajmi”, “Zhurnal”, “Zëri”, “Kosovapress”, “Epoka e Re”, “Illyria” në SHBA,” dhe “Rruga e Arbërit” në Tiranë.

Ai për asnjë çast nuk i shkëputi lidhjet me shokët nga Kosova. Komunikimin me shokët nga Kosova, natyrisht me ata që janë ende gjallë. I njohu nga afër dhe pati konsideratë të lartë për letrarët Esad Mekuli, Sitki Imami, Hasan Mekuli, Vehap Shita, Rexhep Zogaj, Ali Aliu, Ali Demë Jasiqi, Rexhep Hoxha, Maksut Shehu, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Din Mehmeti, Fahredin Gunga, Enver Gjergjeku, Rahman Dedaj, Ramiz Kelemndi, Qerim Ujkani, Teki Dervishi, Jakup Cerraja, Muhamed Kërveshi,Rifat Kukaj, Beqir Musliu dhe Ymer Shkreli.

I njohu nga afër edhe gazetarët Maksut Shehu, Anton Pashku, Zenun Çelaj, Gani Bobi, Adem Shkreli, Fehmi Baftiu, Ibrahim Kadriu, Jusuf Buxhovi, Teki Tervishi, Fahri Musliu etj.

I njohu nga afër dhe kishte konsideratë të lartë për veprimtarët politikë dhe atdhetarët e flaktë Mr. Ukshin Hoti, Akademikun Fehmi Agani, Adem Demaçin dhe Zekeria Canën, për të cilët botoi edhe shumë shkrime, dhe i kuptoi thellësisht konceptet e tyre kombëtare gjeopolitike dhe rrugën për realizimin e të drejtave dhe të kauzës mbarës hqiptare.

Pjesa më e madhe e punës së gazetarit Rexhep Tortes i është kushtuar Kosovës. Hapat e parë në gazetari i bëri në gazetën, Flaka e Vëllazërimit, për të vazhduar në “Rilindja” e “Zëri Rinis’ të Prishtinës dhe në “Fakti”, “Lajm”, “Zhurnal” dhe në “Koha” të Shkupit.

Gazetari Rexhep Torte shumë vite bashkëpunoi si opininist dhe analist në “Bota Sot” duke kritikuar ashpër me opinionet e tij keqqeverisjen e qeverive të Kosovës dhe të Shqipërisë, duke e demaskuar Serbinë agresore e kriminmale edhe nëpërmjet letrave publike të dedikuara presidentëve të SHBA-ve, Ambasadorëve të QUINT-it, BE-së, KE-së, ekspertëve dhe analistëve Perëndimorë, Rusisë, Kinës dhe krerëve të Kishës Orthodokse Serbe, për qëndimet e tyre të gabuara ndaj Kosovës viktimë e agresionit gjenocidal të Serbisë kriminale në Kosovë në vitet 1998/99, si edhe gjatë lirisë e pavarësisë së Kosovës.

Rexhep Torte do të mbete gjatë në kujtimet tona si një bashkëshort, baba, gjysh, familjar, shok e mik i përkryer për ata që patën mundësinë ta njohin.



Read it all at Bota Sot