Bastoni zbulon si i ‘motivoi’ Gattuso të kaltrit

- Bota Sot

Bastoni zbulon si i ‘motivoi’ Gattuso të kaltrit

Italia e nisi me stil epokën e re nën drejtimin e Gennaro Gattuso-s, duke shënuar një fitore bindëse 5-0 ndaj Estonisë në Bergamo, në kualifikueset për Kupën e Botës 2026.

Mbrojtësi i Interit, Alessandro Bastoni, ishte ndër protagonistët, duke shënuar golin e pestë në minutën e fundit pas një krosimi nga Raspadori.

Ai pranoi se ekipi kishte mungesë vendosmërie në ndeshjet e fundit dhe se trajneri i ri solli frymën e duhur.

“Besoj se këta pesë gola erdhën nga uria dhe vendosmëria jonë, përveç cilësisë teknike që gjithmonë e kemi pasur. Kishim nevojë të merrnim përgjegjësi në fushë dhe ta shprehnim atë cilësi,” tha Bastoni për Sky Sport Italia.

Sipas tij, ndikimi i Gattusos ishte i menjëhershëm: “Ai na dha shumë grintë, vendosmëri dhe disa shuplaka, ndoshta kishim nevojë për një zgjim. Nuk e kam pasur shok skuadre, por mund ta imagjinoj se si ishte!”

Gattuso, i cili mori drejtimin e Italisë në qershor pas shkarkimit të Spalletti-t, ndryshoi menjëherë skemën, duke vendosur një 4-2-3-1 që shpesh u kthye në 4-2-4, me Retegui, Kean, Zaccagni dhe Politano të aktivizuar njëkohësisht.

Rezultati ishte i qartë: golat e Reteguit (2), Kean, Raspadorit dhe Bastonit vulosën një mbrëmje të suksesshme.

“Është ende herët të flasim për një epokë të re, por shenjat janë pozitive,” përfundoi Bastoni.

Italia kthehet në fushë të hënën ndaj Izraelit, që ndodhet në vendin e dytë të grupit pas një fitoreje 4-0 në Moldavi.



Read it all at Bota Sot