Te Milani, numri 9 ka qenë gjithmonë më shumë se një fanellë. Ai përfaqësonte fuqinë e madhe sulmuese, simbolin e ‘bomberëve” që kanë lënë gjurmë në historinë e klubit.
\Nga legjenda si Van Basten, Papin apo Inzaghi, ajo fanellë ka qenë gjithmonë një trofe i dëshiruar.
Sot, megjithatë, realiteti është krejt i ndryshëm.
Pas largimit të Luka Jovic-it këtë verë, Milani për herë të parë në mbi 100 vite histori nuk ka më një futbollist me numrin 9. Një situatë e paprecedentë, që pasqyron transformimin e kësaj fanelle nga simbol krenarie në barrë të rëndë.
Historia e “mallkimit” nis në sezonin 2012-13, kur pas epokës së Inzaghit numri iu besua Alexandre Pato-s. Që nga ajo kohë, një listë e gjatë emrash ka provuar fatin, nga Matri te Torres, nga Destro te Luiz Adriano, Lapadula, André Silva, Higuain, Piatek, Mandzukic e deri te vetë Jovic. Shumë pritshmëri, pak gola dhe zhgënjime të njëpasnjëshme.
I vetmi që arriti ta ringjallte disi lavdinë e këtij numri ishte Olivier Giroud. Francezi, në tri sezone me kuqezinjtë, shënoi gola të rëndësishëm dhe hyri në zemrat e tifozëve, sidomos me dygolëshin historik në derbin që hapi rrugën drejt titullit kampion në vitin 2022. Një përjashtim në një dekadë dështimesh.
Në këtë merkato verore, drejtuesit e Milanit kërkuan një qendërsulmues të ri për t’i dhënë jetë numrit 9. Por deri tani, askush nuk e ka marrë përsipër përgjegjësinë. Fanella ka mbetur e varur në dhomat e zhveshjes, në pritje të dikujt që do të ketë forcën dhe cilësinë për të thyer mallkimin dhe për ta rikthyer atë në lavdinë e dikurshme.