Trajneri i Francës, Didier Deschamps, ka reaguar pas kritikave që erdhën nga PSG lidhur me gjendjen fizike të Ousmane Dembélé, i cili pësoi një dëmtim në ndeshjen kundër Ukrainës. Klubi parisien akuzoi për keqmenaxhim të lojtarit, por tekniku i “gjelave” i ka hedhur poshtë këto pretendime.
“E lashë të luante sepse po ndihej mirë dhe po stërvitej pa problem.
Nëse do të kisha pasur qoftë edhe dyshimin më të vogël, nuk do ta kisha rrezikuar kurrë,” – u shpreh Deschamps.
Ai gjithashtu sqaroi se bëhej fjalë për një dëmtim në këmbën tjetër, jo atë që kishte pasur shqetësime më parë.
“Për fat të keq ndodhi, por kjo mund t’i ndodhte kujtdo. Vetë Dembélé ishte me humor të mirë dhe nuk kishte treguar shenja të ndonjë problemi serioz. Nga ana mjekësore gjithçka ishte në rregull, unë mora vendimin tim,” – shtoi trajneri francez.
Ky episod ka sjellë tension mes Federatës Franceze dhe PSG-së, pasi parizienët shpresonin ta kishin lojtarin në formë për ndeshjet e ardhshme. Megjithatë, Deschamps e bëri të qartë se nuk kishte pasur asnjë shenjë që mund të paralajmëronte dëmtimin.