Kosova e Dusseldorfit iu hakmor me kamatë ekipit gjerman, “Armen”, duke e mposhtur me rezultat 5:2 në kuadër të javës së 4-të të Landesliga-s.
“Armen”, ekip që i prishi punë Kosovës në edicionin e kaluar, duke lënë pa hyrë në Oberliga.
“Ashtu siç edhe pritej, FC Kosova ka arritur një fitore shumë të rëndësishme në përballjen e sotme kundër ekipit të fortë “Armen”.
Një triumf me vlera të veçanta, duke qenë se erdhi në fushën kundërshtare. Një "hakmarrje" që nuk do koment, pasi humbja e vjetshme na kushtoi një ligë me lart.
Pjesa e parë e ndeshjes u mbyll 1:0 në favor të "Armenit", por në 45 minutat e dytë ekipi ynë tregoi karakter dhe forcë, duke përmbysur gjithçka. Barazimi erdhi në minutën e 58-të me golin e B. Fazlija. Më pas loja mori tjetër rrjedhë dhe në minutën e 66-të E. Zendeli shënoi për 2:1.
Në fundin dramatik të ndeshjes, FC Kosova gjeti edhe tri herë rrugën e rrjetës me K. Kajitani në minutën e 86-të, R. Callan në të 89-tën dhe F. Ahmeti që vulosi rezultatin përfundimtar 5:2 në minutën e 93-të.
Kjo fitore e ngjit ekipin tonë në vendin e 9-të të renditjes me 6 pikë. Në mesjavë FC Kosova do të zhvillojë ndeshjen e Kupës, ndërsa javën e ardhshme do të presim në fushën tonë ekipin “SG Unterrath””, njofton FC Kosova.