Aksident në Barcelonë, përmbyset autobusi me 53 pasagjerë! Raportohet të plagosur

- Bota Sot

Aksident në Barcelonë, përmbyset autobusi me 53 pasagjerë! Raportohet të plagosur

Të paktën 10 persona kanë mbetur të plagosur, dy prej tyre në gjendje të rëndë, pas përmbysjes së një autobusi në Santa Susanna, rreth 53 kilometra në verilindje të Barcelonës.

Sipas Sistemit të Emergjencave Mjekësore të Katalonjës (SEM), autobusi doli nga rruga në autostradën C-32. Në vendngjarje u dërguan tetë ambulanca, dy helikopterë dhe disa ekipe zjarrfikësish. Në autobusin e aksidentuar ndodheshin 53 pasagjerë. Të plagosurit janë transportuar në spitalet më të afërta, ndërsa dy prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë. Autoritetet nuk kanë dhënë detaje të mëtejshme mbi identitetin apo moshën e të lënduarve.

Pamje të publikuara nga shërbimi zjarrfikës i Katalonjës tregojnë pjesëtarë të ekipit të ndërhyrjes brenda autobusit të përmbysur. Ata njoftuan se mjeti është stabilizuar dhe kanë nisur punimet për pastrimin e zonës. Kompania e transportit ka dërguar një tjetër autobus për të marrë pasagjerët që nuk kanë pësuar lëndime.

Sipas SEM, pasagjerët janë sistemuar përkohësisht në një qendër sportive në Pineda de Mar, ku po u ofrohet edhe mbështetje psikologjike. Zjarrfikësit thanë se shumica e pasagjerëve kanë arritur të dalin vetë nga autobusi dhe të ngjiten në një kodër pranë rrugës për t’u larguar nga vendi i aksidentit.



Read it all at Bota Sot