Kremlini: Sanksionet perëndimore nuk kanë pasur asnjë efekt mbi Rusinë

- Bota Sot

Kremlini: Sanksionet perëndimore nuk kanë pasur asnjë efekt mbi Rusinë

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, duke komentuar mbi ecurinë e sanksioneve perëndimore kundër Rusisë, deklaroi se këto masa nuk kanë arritur ta ndikojnë vendin.

Në një koment në Telegram, Peskov u shpreh: “Në përgjithësi, mund të themi vetëm një gjë: ky numër i paprecedentë sanksionesh, që i është vendosur vendit tonë gjatë katër viteve të fundit, nuk ka pasur absolutisht asnjë ndikim.”

Ai theksoi se, pavarësisht shkallës dhe intensitetit të sanksioneve të vendosura nga vendet perëndimore, Rusia nuk është prekur në thelb nga to.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të dielën se është i gatshëm të kalojë në një fazë të dytë sanksionesh ndaj Rusisë, duke lënë të kuptohet se është shumë pranë forcimit të masave kundër Moskës apo blerësve të naftës së saj, për shkak të luftës në Ukrainë.

Përgatitja nga Bashkimi Evropian e sanksioneve të reja ndaj Rusisë po bëhet në bashkërendim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, deklaroi sot presidenti i Këshillit Evropian, António Costa.

Lidhur me këtë, Peskov u shpreh se Evropa dhe Ukraina po bëjnë gjithçka për të tërhequr SHBA-të në orbitën e tyre, ndërsa shtoi se Kremlini preferon që konflikti të zgjidhet përmes mjeteve diplomatike, por nëse kjo nuk është e mundur, atëherë “operacioni i posaçëm ushtarak”, siç e quan Rusia, do të vazhdojë.

Ekonomia e kohës së luftës në Rusi shënoi një rritje prej 4.1% në vitin 2023 dhe 4.3% në vitin 2024, pavarësisht paketave të shumta të sanksioneve të vendosura nga Perëndimi pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022. Megjithatë, këtë vit, ekonomia ruse po përballet me një ngadalësim të ndjeshëm, për shkak të normave të larta të interesit.

Në të njëjtën kohë, Komisioni Evropian njoftoi sot se i dërguari i posaçëm i BE-së për sanksionet, David O’Sullivan, ndodhet në Uashington së bashku me një ekip ekspertësh për të diskutuar mbi masa të mëtejshme ndaj Rusisë me homologët amerikanë.



Read it all at Bota Sot