Shifra ‘të frikshme’! “The Conjuring: Last Rites” kryeson arkën e fitimeve

- Bota Sot

Shifra ‘të frikshme’! “The Conjuring: Last Rites” kryeson arkën e fitimeve

“The Conjuring: Last Rites” kryesoi në arkën amerikane të fitimeve duke tejkaluar të gjitha parashikimet: plot 83 milionë dollarë në fundjavën e premierës. Në arkën globale, numëroi plot 187 milionë dollarë.

Analistët e industrisë prisnin që filmi i fundit i universit të “The Conjuring” të grumbullonte rreth 50 milionë. Në të vërtetë, “Last Rites” shënon sukses për sagën e famshme duke tejkaluar “The Nun” (53,8 milionë dollarë) dhe renditet i treti për shifrën më të lartë të fitimeve fillestare për një film horror, pas “It” (123,4 milionë dollarë) dhe “It: Chapter Two” (91 milionë dollarë).

“’The Conjuring’ përfaqëson horror të vërtetë, të pastër. Përvoja e vërtetë e filmit horror në kinema, ndaj po shihni këtë debutim me 83 milionë dollarë”, tha analisti Paul Dergarabedian.

Filmat horrorë po ia dalin mjaft mirë këtë vit. “The Conjuring: Last Rites” bëri që ky zhanër të arrinte në 1 miliardë dollarë fitime për vitin 2025.

Mes tyre, “Sinners” arriti në 278,6 milionë dollarë kurse “Final Destination: Bloodlines” në 138,1 milionë dollarë. Vjeshta duket se do të mbizotërohet nga filmat horror. Më 17 tetor, del “Black Phone 2” dhe më 5 dhjetor, “Five Nights at Freddy’s 2”.



Read it all at Bota Sot