Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në qytetin gjerman të Osnabrück, ku një 75-vjeçar ka mbetur i bllokuar në ashensor për katër ditë rresht, pa asnjë mundësi për të thirrur ndihmë, pa ushqim dhe pa ujë.
Ngjarja ndodhi në muajin korrik, kur i moshuari po ngjitej në apartamentin e tij dhe ashensori u bllokua papritur. Për fat të keq, butoni i emergjencës nuk funksiononte për shkak të një sigurese të djegur, duke e lënë atë të izoluar plotësisht.
Për të mos u mbytur, burri arriti të hapë pjesërisht derën e kabinës për të lejuar qarkullimin e ajrit. Ai nuk kishte mundësi komunikimi dhe mbeti i bllokuar për ditë me radhë.
Shpëtimi erdhi pasi djali i tij, i shqetësuar nga mungesa e kontakteve me të atin, njoftoi policinë, e cila mbërriti në banesë dhe zbuloi situatën dramatike. I moshuari u gjet në gjendje të rënduar nga dehidratimi dhe u dërgua menjëherë në spital për trajtim.
Pas disa ditësh kujdes mjekësor, ai është shëruar dhe është kthyer në shtëpi.