Zelensky thotë se më shumë se 20 të vdekur në sulmin “brutal” rus në Donjeck

- Bota Sot

Zelensky thotë se më shumë se 20 të vdekur në sulmin “brutal” rus në Donjeck

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se më shumë se 20 civilë u vranë “në sulmin brutal” rus në një fshat në lindje të Ukrainës, duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të përgjigjet “në mënyrën e duhur”.

Zelensky tha se sulmi “kishte në shënjestër njerëzit, qytetarët e thjeshtë”. Ai tha se sulmi ajror goditi fshatin Jarova në rajonin e Donjeckut më 9 shtator.

Sulmi u krye disa orë pasi Moska tha se forcat ukrainase kryen sulme me dronë dhe raketa në dy qytete në pjesët e okupuara nga rusët në rajonin e Donjeckut, duke lënë të vrarë dy persona.

“Një sulm brutal dhe i tmerrshëm rus në vendbanimin rural të Jarovit në rajonin e Donjeckut”, shkroi Zelensky në X. “Sulm i drejtpërdrejtë ndaj njerëzve. Qytetarëve të zakonshëm. Në momentin kur po shpërndaheshin pensionet. Sipas informacioneve fillestare, mbi 20 persona janë vrarë”, shkroi ai.

Ai po ashtu u bëri thirrje ndërkombëtarëve për përgjigje të përshtatshme ndaj këtij sulmi.

“Rusët po vazhdojnë të shkatërrojnë jetën tonë, teksa po shmangin sanksione të reja të ashpra”, tha ai. “Bota nuk duhet të ri e heshtur. Kërkohet një përgjigje nga Shtetet e Bashkuara. Kërkohet një përgjigje nga Evropa. Kërkohet një përgjigje nga G20-ta. Veprime të fuqishme kërkohen për ta detyruar Rusinë të ndalet”.

Ndërkaq, nga sulmet ukrainase në dy qytete në pjesët e pushtuara të rajonit lindor të Ukrainës, Donjeck, dy persona u vranë dhe 16 të tjerë u plagosën në këto sulme, sipas Denis Pushilin, kreut të vendosur nga Rusia në rajonin e Donjeckut. Forcat ukrainase goditën shënjestrat në qytetin Donjeck dhe në Makivka, një qytet industrial në veri të rajonit të Donjeckut, tha Pushilin të hënën vonë.

Zyrtarë të sigurisë në zonat e pushtuara thanë se të paktën 20 dronë u përdorën në dy sulmet dhe se njësitë e mbrojtjes ajrore u aktivizuan. Agjencitë ruse të lajmeve cituan zyrtarët të kenë thënë se shpërthimet u dëgjuan në të gjithë qytetin Donjeck.

Një ndërtesë banimi nënteksteshe në Makivka u godit nga një dron, dhe video në rrjete sociale shfaqën sulme me raketa, përfshirë ndaj një fabrike të dikurshme të sistemeve ushtarake të mbikëqyrjes në Donjeck.

Zyrtarët ukrainas nuk i kanë komentuar këto sulme./REL



Read it all at Bota Sot