Anglia dhe mijëra tifozë të saj pritet të përballen me një atmosferë armiqësore në Beograd, ku sonte do të luhet ndeshja kualifikuese për Kupën e Botës ndaj Serbisë.
Media britanike, “The Sun” e ka cilësuar takimin si “sfida më e rrezikshme” e eliminatoreve, për shkak të pranisë së huliganëve ultras dhe klimës së tensionuar politike në vend.
Rreth 2,500 tifozë anglezë do të jenë të pranishëm në stadiumin “Rajko Mitić”, i cili ka një kapacitet prej mbi 50 mijë vendesh.
Përballë tyre, ata do të përballohen me një shumicë dërrmuese tifozësh serbë, ku pritet dominim i grupeve ultra, shpesh të lidhura me ideologji ekstremiste dhe dhunë.
erbia u ndëshkua me mbyllje të pjesshme të stadiumit pas incidenteve raciste në ndeshjen kundër Andorrës në qershor, ndërsa lojtarët e Anglisë janë paralajmëruar se do të largohen nga fusha në rast të përsëritjes së akteve të ngjashme.
Por rreziku nuk lidhet vetëm me futbollin. Serbia ndodhet në krizën më të thellë politike të dekadës së fundit, me protesta masive kundër presidentit Aleksandar Vuçiç dhe akuzave për korrupsion, manipulim zgjedhjesh e lidhje me grupet ultras. Këto grupe, të cilat shpesh kanë qenë pjesë e botës së krimit të organizuar, janë të njohura për ndikimin e tyre përtej stadiumeve dhe përdoren si forcë presioni politik në rrugë.
Mediat britanike paralajmërojnë se ndeshja e sotme mund të shndërrohet në një shfaqje force për ultrasit serbë, të cilët përdorin simbole nacionaliste, kore raciste dhe dhunë si mjet demonstrimi.
Përballja mes Serbisë dhe Anglisë pritet të jetë një sfidë e vështirë jo vetëm sportive, por edhe një test i madh sigurie për UEFA-n dhe autoritetet vendase.