Juve–Inter hyn në histori

- Bota Sot

Juve–Inter hyn në histori

Përballja e shumëpritur mes Juventusit dhe Interit këtë të shtunë do të ketë një risi historike për futbollin italian. Në ‘Allianz Stadium’ do të debutojë ‘Refcam’, një kamera ultra-moderne që u jep tifozëve mundësinë të shohin aksionet nga këndvështrimi i arbitrit.

Lega Serie A, në një njoftim zyrtar, theksoi se është një nga ligat e para evropiane që aplikon këtë teknologji, pas testimeve të suksesshme në Kupën e Botës për Klube të FIFA-s:

“Është një ditë historike për evoluimin e spektaklit televiziv dhe inovacionin teknologjik”, thuhet në komunikatë.

“Refcam” është një mikrokamera me rezolucion të lartë, që peshon vetëm 6 gramë dhe vendoset në bazën e mikrofonit të gjyqtarit kryesor. Ajo do të përdoret gjatë nxehjes, në momente specifike të ndeshjes si përgatitja e goditjeve të dënimit, apo për të treguar ripërsëritje spektakolare. Pamjet do të jenë gjithashtu të disponueshme për sistemin VAR, duke shtuar transparencën në vendimet e arbitrave.

Luigi De Siervo, administrator i deleguar i Legës, e cilësoi këtë hap si një revolucion për futbollin italian: “Refcam ofron perspektivën reale të arbitrit, duke e bërë eksperiencën televizive edhe më tërheqëse dhe gjithëpërfshirëse.

Është një inovacion që forcon spektaklin e Serisë A dhe e prezanton produktin tonë në nivel global me imazhe unike”.

Derbi i Italisë kështu nuk do të jetë vetëm një duel mes dy gjigantëve të futbollit italian, por edhe një moment historik në rrugën drejt futbollit të së ardhmes.



Read it all at Bota Sot