Nuk merret leja për stadiumin në ‘Camp Nou’

- Bota Sot

Nuk merret leja për stadiumin në ‘Camp Nou’

Barcelona përjeton një zhgënjim të ri në përpjekjen për t’u rikthyer në shtëpinë e saj historike, Spotify Camp Nou. Edhe pse pritej që ndeshja e javës së katërt të La Ligës ndaj Valencias të shënonte rikthimin e skuadrës në stadiumin e rinovuar, kjo nuk do të ndodhë.

Një komision i Bashkisë së Barcelonës vizitoi ditën e sotme impiantin në Les Corts dhe vendosi të mos japë lejet e nevojshme që Barça të luajë aty të dielën. Për pasojë, sfida do të zhvendoset në ‘Estadi Johan Cruyff’, nëse merr, siç duket e sigurt, miratimin nga organet e La Liga-s.

Kjo situatë nuk është krejt e papritur për drejtuesit e klubit, të cilët prej ditësh e kishin të qartë se afatet për rikthimin në ‘Camp Nou’ nuk mund të përmbusheshin.

Megjithatë, deri sot nuk e kishin pranuar zyrtarisht. ‘Johan Cruyff Stadium’, që ndodhet në Sant Joan Despí dhe ka pritur më herët Trofeun “Joan Gamper”, është alternativa e përkohshme.

Sidoqoftë, ky impiant ka një kapacitet prej vetëm 6.000 vendesh, më pak se minimumi prej 8.000 që kërkohet zakonisht për ndeshjet e La Ligës. Rregullorja, megjithatë, lejon përjashtime për arsye historike, arkitektonike apo teknike, ndaj klubi katalanas është i bindur se miratimi nuk do të mungojë.

Ndërkohë, Barcelona po vijon punën për të përmbushur të gjitha kërkesat teknike e të komunikimit të vendosura nga organizmi i kampionatit, me shpresën që rikthimi i shumëpritur në ‘Camp Nou’ të bëhet realitet sa më shpejt.



Read it all at Bota Sot