Barcelona prej ditësh ka ngritur alarmin se stadiumi saj i ri ende nuk është gati dhe se takimi mes blaugranave dhe Valencias nuk do të jetë i pari i zhvilluar në “Spotify Camp Nou”.
Mesditën e sotme La Liga ka dhënë miratimin që kjo ndeshje, në program për tu luajtur të dielën, të zhvillohet në “Estadi Johan Cruyff” edhe pse kapaciteti i këtij impianti është vetëm 6.000 ulëse.
Sot ekspertët e sitemit VAR janë parë duke montuar kamerat dhe televizorët e nevojshëm në “Estadi Johan Cruyff”.
Kjo vonesë është mjaft e rëndë për bilancet e klubit katalan, i cili nis pagesën e kësteve të kredisë që mori pranë bankës “Goldman Sachs” për të ndërtuar veprën. Banka do të përfitojë 44 milionë si këst të parë ndërsa në dhjetorin e 2026-ës do të arkëtojë këstin e dytë prej 94 milionë eurosh.
Barcelona ka edhe një kontratë me Spotify, e cila i ka paguar 5 milionë euro tani që “Spotify Camp Nou” nuk është funksional, por në momentin që impianti do të hapë dyert atëherë kompania suedeze do të paguajë 20 milionë euro.