Vëmendje maksimale te shkodranët

- Bota Sot

Vëmendje maksimale te shkodranët

Një vëmendje e veçantë te Vllaznia në këto ditë pushimi të kampionatit i është kushtuar repartit të mbrojtjes.

Prapavija e shkodranëve ka qenë disa herë nën “akuzë” gjatë kësaj vere, ku përveç ndeshjeve në “Conference League” ku u pësua gol në çdo duel, një kritikë për repartin difensiv të 9 herë kampionëve të vendit kishte edhe në kampionat, ku në ndeshjen e fundit të humbur 3-1 ndaj Dinamos, shumë kush e cilësoi se ekipi ishte i zbuluar në prapavijë.

Në këtë mënyrë, shpesh janë zënë në kundërsulm nga ana e dinamovitëve, të cilët shfrytëzuan hapësirat e lëna, duke shënuar dhe merituar fitoren në fund.

Pikërisht nisur nga ky fakt, trajneri Martini ka vendosur t’i kushtojë një vëmendje më të veçantë pikërisht këtij reparti. Edhe në seancat stërvitore të kësaj jave është shikuar shumë i përqendruar, duke dhënë këshilla për mbrojtësit e skuadrës së tij, duke analizuar vendosjen e tyre dhe mënyrën e të luajturit në fushën e lojës.

Por ish-fantazisti, i cili është një “fanatik” i mbrojtjes me 3 futbollistë, të cilët marrin edhe mbështetjen nga krahët, mund të ndryshojë diçka përsa i përket kësaj skeme.

Në seancat stërvitore dhe lojërat brenda grupit është parë që skuadra të vendoset disa herë edhe me katër mbrojtës në prapavijë, ku janë provuar disa futbollistë që mund të shërbejnë siç duhet për skuadrën, duke parë edhe atë çfarë kërkon trajneri Martini nga ekipi dhe vendosja e tij në fushën e lojës.



Read it all at Bota Sot