Shqipëria mirëpret për herë të parë në histori mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, një zhvillim i cilësuar si moment historik për futbollin shqiptar.
Presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin, mbërriti pasditen e së mërkurës në Tiranë, ku u prit nga kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Ky i fundit e cilësoi vizitën si një tjetër dëshmi e vlerësimit të futbollit evropian.
Mbledhja e Komitetit Ekzekutiv do të zhvillohet të enjten nga ora 14:00 deri në 17:00, ndërsa paraprakisht, Presidenti Čeferin, së bashku me Dukën dhe drejtues të tjerë të futbollit evropian, do të marrin pjesë në festivalin e futbollit për fëmijë në “Shtëpinë e Futbollit”.
Ky aktivitet i rëndësishëm jo vetëm që e vendos Shqipërinë në qendër të hartës evropiane të futbollit, por gjithashtu shënon një hap të madh për imazhin dhe zhvillimin e këtij sporti në vend.