Paolo Nikolato është shfaqur i mërzitur para mediave në fund të ndeshjes së përfaqësueses së Letonisë ndaj Shqipërisë në “Air Albania”. Humbja 1-0 sipas tij, ishte e pamerituar, pasi Letonia kishte krijuar raste dhe kishte qenë në lojë deri në fund përballë kuqezinjve.
“Gjendja ime shpirtërore pas kësaj ndeshjeje nuk është aq e mirë, sepse besoj se lojtarët e mi meritojnë më shumë.
Besoj se po luajmë mirë këtë vit. Patjetër që duhet të përmirësojmë performancën tonë në repartin sulmues.
Para së gjithash, na duhet më shumë talent atje.
Ky është ndryshimi ynë më i rëndësishëm midis nesh dhe kundërshtarëve të këtij niveli. Sot e bëmë gjëra mirë kundër një skuadre të fortë. E ngjashme si kundër Serbisë, në pjesën e dytë. Megjithatë, arritja e përmirësimeve në repartin sulmues është më e vështira, sepse performanca atje varet nga cilësia e lojtarëve. Patëm mundësi për të shënuar gola sot!
“Po punojmë mbi një sistem, një koncept, jo një skemë loje. Prioriteti ynë është të njohim vendin dhe kohën e duhur për ta shfrytëzuar atë. Skema taktike nuk është problem, djemtë mund ta lexojnë lojën, të njohin situatat dhe mund ta bësh këtë në çdo skemë. Nëse bën një gabim teknik, duhet të vraposh.
Kundër Serbisë ndonjëherë bëmë gabime të lehta teknike, gabime të lehta në pasime. Është e qartë se nuk mund të dominojmë ndeshjet me kundërshtarë të tillë. Duhet të jemi realistë.
Por mendoj se në çdo ndeshje që luajmë, ka disa komponentë në të cilët jemi në një nivel të barabartë me kundërshtarët tanë. Patëm disa raste shënimi të shkëlqyera sonte.
Nëse kundërshtarët do të kishin raste të tilla, ndoshta do të kishte gola të shënuar. Duhet të qëndrojmë pozitivë.
Djemtë përfaqësojnë vendin e tyre dhe duhet të jenë të kënaqur me atë që po bëjnë”, tha ndër të tjera Nikolato pas përfundimit të ndeshjes.