Prokurorët francezë tregojnë kush i vendosi kokat e derrave rreth xhamive

- Bota Sot

Prokurorët francezë tregojnë kush i vendosi kokat e derrave rreth xhamive

Shtetas të huaj me targa të regjistrimit të Serbisë vendosën kokat e derrave dje përpara të paktën nëntë xhamive në dhe përreth kryeqytetit francez, tha sot Zyra e prokurorit të Parisit duke iu referuar hetimeve policore.

Sipas policisë, ata me shumë gjasa kaluan kufirin duke përdorur një numër telefoni kroat. Hetimi përcaktoi se kokat e derrave "u vendosën, me qëllimin e qartë për të shkaktuar trazira brenda kombit, nga shtetas të huaj që u larguan menjëherë nga vendi", thuhet në deklaratë.

"Një fermer bagëtish nga Normandia kontaktoi hetuesit për të thënë se dy persona kishin ardhur për të blerë dymbëdhjetë koka derrash prej tij dhe përshkroi automjetin e tyre, i cili kishte targa serbe të regjistrimit", thuhet tutje në deklaratë.

Pamjet e kamerave të mbikëqyrjes treguan burrat që mbërritën në Paris me të njëjtin automjet pardje. Ata me shumë gjasa po përdornin një "numër telefoni kroat" që u zbulua se kishte kaluar kufirin franko-belg dje në mëngjes pasi u kryen krimet, raportojnë mediat kroate, përcjell KosovaPress.

Autoritetet franceze premtuan sot mbështetje për popullsinë myslimane të Francës në një kohë të rritjes së ndjenjave antiislame. Franca ka popullsinë më të madhe myslimane në Evropë, më shumë se 6 milionë.

Shefi i policisë së Parisit, Laurent Nunez, tha se nuk mund të përjashtonte ndërhyrjen e huaj që do ta shqetësonte Francën ndërsa ajo përballet me një krizë fiskale dhe politike.

Franca në të kaluarën ka akuzuar Rusinë se po përpiqet të mbjellë përçarje. Tre serbë të akuzuar për lidhje me një "fuqi të huaj" u arrestuan pasi sinagogat dhe një memorial i Holokaustit u përdhosën me ngjyrë jeshile në maj.



Read it all at Bota Sot