Tottenhami e ka nisur sezonin me rezultate premtuese nën drejtimin e trajnerit danez, Thomas Frank, i cili ka ardhur me disa ide që mund të ndryshojnë rrënjësisht mënyrën si luhet futbolli.
Në një intervistë për sponsorin e klubit, Bet MGM, Frank propozoi futjen e “time-out”-eve në lojë, një risi e huazuar nga sportet amerikane:.
“Do të doja nga një pushim të shkurtër në çdo pjesë. Nga këndvështrimi i trajnerit, do të ishte fantastike të kisha mundësi të flisja me lojtarët gjatë ndeshjes dhe të bëja disa rregullime taktike”, tha ai.
Por tekniku 51-vjeçar nuk u ndal vetëm te kjo ide. Ai kritikoi ashpër edhe rregullin aktual të prekjes së topit me dorë në zonë, që, sipas tij, po çon në dhënien e shumë penalltive të panevojshme:
“Do ta hiqja këtë rregull. Për mua nuk është i drejtë. Nëse topi prek krahun e një lojtari brenda zonës, kjo i jep kundërshtarit mundësinë më të madhe për të shënuar, edhe pse shpesh është një rast krejt i paqëllimshëm”, theksoi Frank.
Trajneri bëri një dallim mes rasteve kur një lojtar ndalon topin qëllimisht me dorë në vijën e golit dhe atyre kur kontakti ndodh rastësisht:
“Sigurisht, nëse vepron si portier për të ndaluar golin, është tjetër gjë.
Por nuk e kuptoj pse çdo prekje aksidentale duhet të kthehet në penallti. Kjo nuk e bën lojën më të drejtë”, përfundoi ai.
Frank beson se ndryshime të tilla do ta përmirësonin futbollin dhe do ta bënin më të drejtë si për lojtarët, ashtu edhe për tifozët.