Steve Sidwell, ish-mesfushor i Chelsea-t, ka treguar një episod interesant me José Mourinho-n, duke ilustruar edhe një herë mënyrën unike të trajnerit portugez për të përdorur lojërat psikologjike, jo vetëm ndaj kundërshtarëve, por edhe brenda klubit të tij.
Në një intervistë për Sky Sports, Sidwell kujtoi momentin e parë kur mbërriti te “blutë” nga Reading, në vitin 2007, me parametër zero.
“Unë isha mesfushor dhe sapo mbërrita, Mourinho më pyeti nëse nuk do ta kisha problem të merrja fanellën me numrin 9. Mendova se thjesht po më testonte dhe pranova. Por më pas më dhanë vërtet numrin 9 dhe miqtë e mi nuk e besonin dot, pasi unë nuk isha sulmues”, tregoi Sidwell.
Sot, në moshën 42-vjeçare, ai e kupton më qartë arsyen pas asaj zgjedhjeje.
“Ishte një mënyrë e Mourinho-s për të dërguar një mesazh te drejtuesit. Ai donte të blinte një sulmues, por klubi nuk i dha fondet. Për këtë arsye, vendosi t’ia jepte fanellën simbolike të sulmuesit kryesor një lojtari që kishte ardhur falas nga Reading”, shpjegoi ish-mesfushori, duke buzëqeshur.
Historia nuk zgjati shumë. Pas vetëm tetë ndeshjesh në sezonin 2007/08, Mourinho u largua nga Chelsea, ndërsa Sidwell mbeti në klub vetëm një vit, duke shënuar një gol në 25 paraqitje, por pa mundur të justifikonte peshën e fanellës me numrin 9.