Drejtori i përgjithshëm i Juventusit, Damien Comolli, ka shprehur kënaqësinë e tij për mënyrën si u menaxhua merkatoja e verës nga klubi bardhezi. Në konferencën për shtyp ku u prezantuan afrimet e reja, Edon Zhegrova dhe Lois Openda, Comolli bëri një bilanc të parë të punës dhe foli për objektivat e sezonit.
“Ne kemi kërkuar të gjejmë ekuilibrin e duhur mes situatës financiare dhe rregullave të Fair Play Financiar të UEFA-s. Skuadra është konkurruese dhe besoj se ia kemi dalë ta përforcojmë,” tha ai.
Comolli theksoi se strategjia e klubit ishte të ruante bërthamën e ekipit dhe të sillte lojtarë që do të kishin një rol vendimtar: “E mbyllëm merkaton me sukses, jemi më të fortë. Mbajtëm lojtarët që donim të mbanim. Një shembull është Dusan Vlahovic, i cili ka aftësi unike për Serie A dhe e ka treguar këtë.”
Sa i përket zërave për një telefonatë të ashpër me presidentin e PSG-së, Nasser Al-Khelaifi, Comolli i ka mohuar kategorikisht:
“Kam lexuar lajme për biseda të tilla, por nuk është e vërtetë. Nuk kemi folur kurrë. Janë thjesht gënjeshtra.
Kam pasur gjithmonë marrëdhënie shumë të mira me klubet e mëdha dhe i respektoj”.