Igor Tudor është i ndërgjegjshëm që Juventusi i tij shihet si një skuadër që duhet të synojë luftën për titullin kampion.
Dhe ai mendon se ekipi ka kapacitetet për ta bërë një gjë të tillë, ndonëse shumëkush e sheh më pak të fortë se Napoli e Interi.
Në një intervistë të dhënë për “DAZN”, ai ka folur për objektivat që ka klubi, duke e nisur pikërisht me ndeshjen e madhe të kësaj fundjave në “Allianz Stadium”, ku përballet me Interin.
“Kjo ndeshje vlen më shumë se tre pikë, unë e kam më të thjeshtë që të përgatit ndeshje të tilla. Interi është një skuadër e madhe, ka lojtarë që janë të pjekur, që vijnë me një bagazh eksperience të rëndësishme. Ne do të luajmë shanset tona, duam të tregojmë pikat tona të forta dhe të punojmë mbi pikat e dobëta. Pastaj të shohim se kush do të jetë më i aftë.
A mund të luftojmë për titullin? Është e qartë që kjo skuadër mund të luftojë për ta fituar. Unë në fillimin e sezonit në disa mbledhje kam folur për mundësinë e fitores së kampionatit dhe për objektivat. Pastaj mbyll derën dhe nuk flas më për të gjatë gjithë sezonit. Unë flas vetëm për gjëra konkrete, pasi të flasësh për objektiva nuk shërben. Duhen arritur, jo të flitet për ta”, tha Tudor.