Princi Harry ka realizuar një vizitë të papritur në Kiev me ftesë të qeverisë ukrainase, duke thënë se dëshiron të bëjë “çdo gjë të mundshme” për të ndihmuar rikuperimin e mijëra ushtarëve që janë plagosur rëndë gjatë luftës trevjeçare kundër Rusisë.
Gjatë vizitës në kryeqytetin ukrainas, ai dhe një ekip nga Fondacioni i Lojërave Invictus pritet të prezantojnë nisma të reja për të mbështetur rehabilitimin e të plagosurve, me synimin përfundimtar që ndihma të shtrihet në të gjitha rajonet e vendit.
Më herët këtë vit është vlerësuar se lufta në Ukrainë tashmë ka lënë mbi 130.000 persona me aftësi të përhershme të kufizuara – dhe qeveria e ka vendosur rehabilitimin përmes sportit në qendër të politikave të saj për mbështetjen e veteranëve.
Duka i Sussex-it, duke folur për The Guardian gjatë një udhëtimi me tren gjatë natës drejt kryeqytetit, tha: Ne nuk mund ta ndalim luftën, por ajo që mund të bëjmë është të bëjmë gjithçka për të ndihmuar procesin e rikuperimit.
Ai shtoi se “mund të vazhdojmë t’i ndihmojmë njerëzit e përfshirë në këtë luftë dhe atë që ata po kalojnë. Duhet ta mbajmë këtë në mendjet e njerëzve”..
“Shpresoj që kjo vizitë të ndihmojë që njerëzit ta ndiejnë më afër realitetin, sepse është e lehtë të bëhesh i pandjeshëm ndaj asaj që po ndodh”, shtoi ai.