Marash Kumbulla po kalon një moment shumë pozitiv te Mallorca, ku është kthyer në një titullar të padiskutueshëm.
Mbrojtësi i kombëtares shqiptare ka folur sot për sfidën e radhës në La Liga, ku ishullorët do të udhëtojnë drejt Katalonjës për t’u përballur me Espanyolin.
“Ndihem mirë me shokët e ekipit dhe me stafin teknik. Marrëdhënia jonë është shumë e mirë si në fushë ashtu edhe në dhomat e zhveshjes. Jemi duke punuar shumë për këtë ndeshje, sepse duam ta fitojmë”, deklaroi Kumbulla.
Ai thotë se dëshira dhe motivimi i skuadrës janë çelësi për të marrë fitoren.
“Na duhen tri pikë dhe këtë e shoh çdo ditë te dëshira që kanë lojtarët në stërvitje”, theksoi ai.
Mbrojtësi kuqezi pranoi se sfida kundër Espanyolit ka një emocion të veçantë për të, pasi aty gjeti besimin pas periudhës së vështirë në Romë.
“Kam shumë afeksion për Espanyolin, sepse kur mbërrita atje isha në një situatë të vështirë. Trajneri dhe shokët e ekipit më ndihmuan shumë. Për mua do të jetë një ndeshje speciale, por shpresoj të kthehem me tri pikë”, përfundoi Kumbulla.