Shqipëria do të përballet me Serbinë në datën 11 tetor për kualifikueset e Kupës së Botës, aty ku një fitore e mundshme e kuqezinjve, me shumë gjasa mund t’i sigurojë vendin e dytë në grup.
Kuqezinjtë vijnë në këtë takim nga një fitore ndaj Letonisë, teksa Serbia paraqitet pas një disfate të rëndë, duke u mundur në shtëpi me rezultatin 0-5 nga Anglia.
Sikur të mos mjaftonte vetëm rezultati i thellë, Serbia do të ketë edhe dy mungesa të rëndësishme në ndeshjen ndaj Shqipërisë.
Mesfushori i Fulham, Sasha Lukiç dhe mbrojtësi i Fiorentinës Nikola Milenkoviç, janë dy mungesat e mëdha që Serbia do të ketë. Mesfushori u ndëshkua me karton të verdhë, teksa të parin e mori ndaj Letonisë pak ditë më parë duke plotësuar në këtë mënyrë numrin e kartonëve të verdhë.
Përtej kartonëve, Serbia rrezikon që të luajë edhe pa tifozë kundër Shqipërisë, duke qenë se në ndeshjen e fundit përballë Anglisë, kishte probleme në tribunë dhe në mënyrë të përsëritur, kishte thirrje të vazhdueshme raciste si edhe pankarta me nocione politike.
Për Shqipërinë, kjo do të jetë hera e katërt që përballet me Serbinë, teksa një takim është fituar në tavolinë nga kuqezinjtë, në Elbasan ka fituar 0-2 Serbia dhe ndeshja e fundit në barazim pa gola, e luajtur ne stadiumin “Air Albania”, teksa në të shkuarën ka pasur edhe 8 ndeshje mes Shqipërisë dhe Ish-Jugosllavisë.