Në orën 15.30 do të përballen dy skuadrat më të mira shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Struga Trim Lum – Shkëndija.
Ndeshje e vlefshme e javës së gjashtë.
Sezoni i tretë te Struga Trim Lum po rezulton të jetë shumë i suksesshëm për sulmuesin Bassirou Compaore.
Sulmuesi nga Burkina Faso ka shënuar në të gjitha 5 ndeshjet, derisa në dy të fundit ai kishte realizuar “dopieta”….
Bassirou Compaore po kalon momentet më të bukura, prej kur se i njëjti i është bashkuar Struga Trim Lum në verën e vitit 2023. Sulmuesi nga Burkina Faso në 5 ndeshjet e këtij sezoni ka regjistruar 7 gola, duke udhëhequr skuadrën drejt fitoreve në këtë fillim sezoni.
Lidhur me këtë ecuri pozitive të skuadrës, Compaore, thotë se kjo ka të bëjë tërësisht me mentalitetin dhe punën e palodhur të skuadrës, si gjatë përgatitjeve, ashtu edhe gjatë stërvitjeve para çdo ndeshje.
“Mendoj se ky sukses, duke fituar 5 ndeshje nga 5, ka të bëjë tërësisht me mentalitetin dhe punën e palodhur të skuadrës, si gjatë përgatitjeve zyrtare, ashtu edhe gjatë stërvitjeve që i bëjmë para çdo ndeshje.
Edhe pse nuk kishim shumë kohë në disponim për ndeshjen kundër Shkëndijës, megjithatë besoj se jemi të gatshëm për ti sfiduar seriozisht edhe kampionët”. – u shpreh fillimisht sulmuesi ynë Bassirou Compaore, që është në formë të jashtëzakonshme.
Sulmuesi nga Burkina Faso në 5 ndeshjet e deritanishme ka regjistruar 7 gola në 5 ndeshje, duke qenë lider absolut edhe në listën e golashënuesve.
Ai për këto arritje falënderon edhe Zotin, por edhe dëshirën për të punuar në vazhdimësi.
“Jam i motivuar të bëj gjithmonë më shumë në çdo ndeshje. Është kjo pjesa ime, ndërsa për pjesën tjetër kujdeset Zoti” – u shpreh në vijim të intervistës, Comapore, i cili në pyetjen nëse do shënonte edhe nesër kundër Shkëndijës, u përgjigj:
“Nuk më pëlqen të bëj parashikime para ndeshjeve, por do të luaj si zakonisht për të ndihmuar ekipin të fitojë. Kjo është gjëja më e rëndësishme.”
Për Compaore, është ky edicioni i tretë që po luan me Struga Trim Lum, ku deri më tani ka regjistruar gjithsej 60 paraqitje dhe 16 gola të shënuar.