PSG e nis me provën kundër Atalanta

- Bota Sot

PSG e nis me provën kundër Atalanta

Nuk ka kaluar shumë kohë, por duhet harruar sa më shpejt. Paris SG është kampione e Europës në fuqi, një titull plotësisht i merituar, veçse katastrofa në finalen e Botërorit të Klubeve ndaj Çelsit ishte një paralajmërim.

Skuadra e madhe franceze do të dalë sonte në fushë në orën 21:00 duke pasur përballë në “Park dë Prensis” një rival të vështirë si Atalantën, ndonëse objektivi është vetëm fitorja.

Për fat, Kvarackelia pritet të luajë edhe pse pësoi dëmtim në fundjavë në kampionat, ashtu si edhe koreanojugori Li. Beraldo mungon për shkak lëndimi, ashtu si Due dhe kandidati për Topin e Artë, Usman Dembele.

Gjithsesi, Barkola udhëheq sulmin dhe mbrojtja e mesfusha janë top. Bergamaskët kanë ende jashtë Ademola Lokmanin, i cili bëri kryengritje për të shkuar tek Interi.

Sulmuesi nuk udhëtoi për në Paris, ndërsa pjesë e ekipit është kapiteni I Shqipërisë, qendërmbrojtësi Berat Gjimshiti.

Trajneri I ri, Juric, ka 4 mungesa: Ederson, Skamaka, Baker e Kolashinac. Dueli shumë i madh i mbrëmjes, gjithnjë në 21:00, është Bajern-Çelsi. Dy ekipet kanë luajtur finalen e Championsit në 2012, fituar nga Blutë e Londrës, ndërsa Çelsi është kampion I botës në fuqi, pasi mundi PSG-në në finale në korrik në Shtetet e Bashkuara.

Bavarezët kanë probleme dëmtimesh si Gerreron, Dejvisin dhe Iton, një problem në krahun e majtë të mbrojtjes. Anglezëve nuk u luajnë Esugo, Lavia dhe Badiashili, Estevao është në dyshim ndërsa Koul Palmer nuk është në 100 për qind.

Sfida tjetër që pritet të japë emocione është Liverpul-Atletiko Madrid. Anglezët, kampionë në fuqi të Anglisë, janë në formë shumë të mirë dhe i kanë fituar të gjitha ndeshjet në Premier Ligë.

Trajneri Slot ka disa mungesa si Xhons, por Isak pritet të luajë 45 minuta, me Kiezën që është lënë jashtë ekipit, ndërsa Mekallister është i gatshëm. Spanjollët kanë mungesa të shumta si Almada, Gimenez, Baena dhe sulmuesi Hulian Alvarez, e nga ana tjetër në dyshim janë Hanko, Le Normand dhe Nikolas Gonzales.

Edhe Interi do të luajë sonte. Ish-kampionia e Italisë dhe nënkampionia në fuqi e Europës synon të lerë pas disfatën e rëndë në finalen e Championsit ndaj PSG-së, ndonëse forma në Serinë A nuk është aspak e mirë. Të paktën, trajneri Kivu nuk ka probleme dhe zikaltërit do të jenë me skuadër të plotë.



Read it all at Bota Sot