Conte: Manchester është një mal për t’u ngjitur, duam të kuptojmë ku jemi

- Bota Sot

Conte: Manchester është një mal për t’u ngjitur, duam të kuptojmë ku jemi

Antonio Conte rikthehet në Champions League me Napolin, dhe e bën këtë në një nga skenat më të vështira të futbollit evropian, në ‘Etihad Stadium’, përballë Manchester City-t të Pep Guardiolës. Në konferencën e tij për shtyp, trajneri italian pranoi vështirësinë e sfidës, por theksoi edhe dëshirën e ekipit për të matur forcat me më të mirët:

“Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Përballemi me një klub që ka fituar gjithçka në vitet e fundit dhe me një trajner që për mua është më i miri në botë.

Ne vijmë këtu me përulësi, por edhe me dëshirë për të kuptuar se ku ndodhemi në rrugën tonë. Nesër përballemi me një mal shumë të vështirë për t’u ngjitur, por kemi dëshirën për të mësuar dhe për të bërë hapa përpara”.

Conte foli edhe për ndryshimet taktike që ka sjellë te Napoli, duke ecur përtej moduleve fikse si 3-5-2 apo 3-4-3:

“Po përpiqem të përshtas lojën në mënyrë që lojtarët më të mirë të jenë gjithmonë në fushë. Me ardhjen e De Bruyne kemi gjetur zgjidhje të reja, ndërsa gjatë sezonit kemi mundësi të alternojmë skemat, qoftë 4-3-3 apo të tjera. E rëndësishme është që skuadra të mbetet e guximshme dhe të kuptojë sa është hendeku mes nesh dhe një makinerie si City.”

Trajneri i Napolit pranoi se skuadra e tij është ende në fazë rritjeje:

“E shohim veten si nxënës që përballen me mësuesit. Duam të përfitojmë nga ky proces, pa u shmangur nga identiteti ynë. Do të luajmë me pikat tona të forta dhe dobësitë tona, sepse vetëm kështu mund të rritemi.”

Në fund, Conte foli me respekt të madh për Guardiolën:

“Pep është në City prej një dekade, gjë shumë e vështirë në futbollin modern. Ka krijuar një sinergji të jashtëzakonshme me klubin dhe lojtarët. Çdo vit gjen energji dhe ide të reja, dhe kjo tregon madhështinë e tij".



Read it all at Bota Sot