Edon Zhegrova ka përjetuar një nga momentet më të rëndësishme të karrierës së tij, debutimin me fanellën e Juventusit, në “Allianz Stadium” të Torinos.
Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës u aktivizua në minutat e fundit të sfidës dramatike kundër Borussia Dortmundit, ku bardhezinjtë nga disavantazhi 2–4 arritën të barazonin 4–4.
Edhe pse qëndroi në fushë më pak se 10 minuta, Zhegrova u vlerësua lartë për ndikimin e tij në lojë.
Me lëvizje të shpejta dhe hapje të rrezikshme të aksioneve, ai kontribuoi në golat e barazimit.
Pas ndeshjes, 25-vjeçari u shpreh i emocionuar në rrjetet sociale.
“Çfarë nate ta bëj debutimin tim për këtë skuadër të madhe”, teksa ndau edhe fotografi me fanellën bardhezi”, ka shkruar Zhegrova në rrjetet sociale.
Ky debutim merr peshë të veçantë, pasi Zhegrova kishte munguar për 8 muaj për shkak të një lëndimi të gjatë.
Tani, mbetet dilema nëse trajneri Igor Tudor do t’i besojë një vend në formacionin titullar në ndeshjen e radhës ndaj Hellas Veronës këtë fundjavë.