Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Hajrullah Çeku, ka vizituar klubin e futbollit Prishtina, ku është pritur nga drejtuesit e klubit dhe lojtarët.
Përmes një videoje të publikuar nga kjo vizitë, Çeku ka theksuar rëndësinë që i jep sportit si pjesë e zhvillimit të rinisë dhe shoqërisë në përgjithësi.
“Për ne, sporti është më shumë se një sektor anësor. Sa më shumë fëmijë e të rinj në fusha sportive, aq më pak në rrugë.
E kemi një listë kandidatësh me shumë njerëz të sportit ish-sportistë e aktivistë sportivë për ta dëshmuar se sportin e kemi përnime”, është shprehur Çeku gjatë takimit me përfaqësuesit e klubit.
Nga ana tjetër, kryesuesit e FC Prishtina kanë vlerësuar mbështetjen që, sipas tyre, e kanë marrë nga Çeku më shumë sesa nga qeveritë e mëparshme.