Edon Zhegrova bëri më në fund debutimin e tij me fanellën e Juventusit, duke u rikthyer në fushë pas një mungese të gjatë prej nëntë muajsh.
Sulmuesi anësor i Kosovës u aktivizua në ndeshjen e Champions League kundër Borussia Dortmund. Megjithëse nuk ishte ende në formën më të mirë fizike, Zhegrova la menjëherë përshtypje pozitive.
Me gjallërinë dhe aftësinë e tij për të kaluar mbrojtësit, ai tregoi cilësitë që mund t’i japin Juventusit një armë të re në repartin ofensiv.
Edhe pse u fut në lojë gjatë pjesës së dytë, ai arriti të shfaqë vizion loje dhe dëshirë për të qenë protagonist.
Me karakteristikat e tij si lojtar i krahut, Zhegrova mund të sjellë zgjidhje të reja në sulmin e bardhezinjve. Aftësia për të krijuar epërsi numerike në krah është një element që mund të bëjë diferencën në ndeshjet e ardhshme.
Të shtunën, në sfidën kundër Veronës, pritet që ai të ketë më shumë hapësira, por gjasat janë që trajneri Tudor të mos e aktivizojë nga minuta e parë.
Pas mungesës së gjatë, strategu kroat synon ta menaxhojë me kujdes, duke e aktivizuar gradualisht në ritmin e duhur.
Megjithatë, prania e tij në stol përbën një armë shtesë për Juventusin, që mund ta shfrytëzojë kur të kërkohet shpejtësi dhe fantazi në fazën sulmuese.
Rikthimi i Zhegrovës është një lajm shumë pozitiv për bardhezinjtë.
Nëse arrin të gjejë formën e tij optimale, ai mund të shndërrohet në një element kyç për pjesën e dytë të sezonit.
Me kohë dhe besim nga ana e trajnerit, kosovari ka potencialin për t’i dhënë Juventusit shpejtësi, befasi dhe guxim në fushë.