Arsimi hyri në një ritëm pozitiv pas fitores së madhe në Manastir kundër Pelisterit me rezultat 0:4 dhe tani pret sfidën e radhës me shumë besim.
Në xhiron e gjashtë të Ligës së Parë të Futbollit, ekipi mysafir do të jetë Vardari në stadiumin e Gostivarit.
Pas një fillimi disi më të dobët të sezonit, skuadra nga Çegrani arriti të tregojë karakter dhe cilësi në fushën jashtë fushe, duke fituar tre pikët e para në një mënyrë mbresëlënëse.
Triumfi në Manastir është një motiv shtesë për lojtarët dhe stafin trajner se me punë të palodhur, mund të arrihen objektivat në kampionat.
“Fitorja në Manastir na dha moral të madh, por e dimë që asgjë nuk ka mbaruar. Vardari është një kundërshtar që gjithmonë kërkon përqendrim maksimal.
Duhet të jemi edhe më të mirë nëse duam ta bëjmë të lumtur turmën vendase”, tha kapiteni dhe portieri i Arsimit, Vulnet Islami.
Përgatitjet për derbin me “kuqezinjtë” u zhvilluan në një atmosferë të mirë, dhe seancat stërvitore kishin për qëllim përmirësimin e kompaktësisë dhe efikasitetit ofensiv të ekipit.
Tifozët nga Çegrani tashmë po njoftojnë mbështetje masive, e cila mund të jetë një faktor kyç për Arsimin.
“Ky është momenti kur duhet të tregojmë se fitorja në Manastir nuk ishte e rastësishme. Ne kemi cilësi dhe besojmë se me ndihmën e tifozëve tanë do ta arrijmë qëllimin tonë”, shtoi Vulnet Islami.
Ndeshja Arsimi – Vardar do të filloj në orën 15:30 në stadiumin e Gostivarit, në kuadër të raundit të gjashtë të Ligës së Parë.