Juventusi vazhdon të tregojë dobësi në mbrojtje, dhe mbrojtësi Gleison Bremer nuk e fsheh shqetësimin e tij pas barazimit dramatik 4-4 kundër Borusia Dortmund në Ligën e Kampionëve.
Edhe pse skuadra arriti të shpëtonte një humbje të mundshme me dy gola në minutat e fundit, numri i golave të pësuar mbetet shqetësues.
“Nuk mund të pranojmë kaq shumë gola,” tha Bremer pas ndeshjes. “Në dy ndeshje kemi pësuar shtatë gola. Kjo nuk është e pranueshme për një ekip si Juventusi që aspiron të shkojë larg në Champions dhe të luftojë për titullin në Serie A.”
Ai theksoi se problemi nuk është vetëm teknika individuale, por edhe organizimi i skuadrës gjatë gjithë ndeshjes.
“Duhet të ruajmë ekuilibrin dhe të mos lejojmë hapësira që kundërshtarët mund t’i shfrytëzojnë. Gabimet e tilla mund të kushtojnë shtrenjtë,” shtoi mbrojtësi brazilian. Megjithatë, Bremer nuk e mohoi se ekipi pati fat që arriti të barazonte në fund.
“Është e rëndësishme që të mos dorëzohemi dhe të luftojmë deri në fund.
Kjo është fryma që duhet të kemi gjithmonë,” tha ai. Sulmuesi Dushan Vlahoviç gjithashtu mori vlerësime nga Bremer, i cili theksoi se serbi po kontribuon shumë në skuadër dhe po jep performanca të qëndrueshme në çdo ndeshje.
“Vlahoviç po na ndihmon shumë. Ai sjell golat e nevojshëm dhe përpiqet të sjellë energji pozitive për të gjithë ekipin,” shtoi mbrojtësi.
Bremer përfundoi me një mesazh për skuadrën: “Ne duhet të përmirësohemi në çdo aspekt të lojës.
Nuk mjafton të kemi cilësi në sulm, por duhet të jemi të fortë edhe në mbrojtje.
Vetëm kështu mund të arrijmë objektivat tona.”
Ky barazim ndaj Dortmundit është një alarm për Juventusin që të fokusohen më shumë tek mbrojtja dhe të mos lejojnë më gola të tillë të pësohen në ndeshje të rëndësishme europiane.