Kylian Mbappe nuk do të jetë në Paris për ‘Topin e Artë’, do të mbështesë Dembelen

- Bota Sot

Kylian Mbappe nuk do të jetë në Paris për ‘Topin e Artë’, do të mbështesë Dembelen

Real Madridi ka konfirmuar se nuk do të marrë pjesë në galanë e “Topit të Artë” që do të mbahet të hënën e ardhshme në Teatrin Châtelet në Paris.

Ky është viti i dytë radhazi që klubi madrilen bojkoton ceremoninë, pas polemikave të edicionit të kaluar kur lojtarët dhe stafi u larguan nga aeroplani në minutën e fundit pasi mësuan se fituesi nuk ishte Vinicius, por Rodri.

Në këtë event pritet të marrin pjesë lojtarë të shumtë, dhe mendohej se art do të ishte edhe ambasadori më i madh i futbollit francez, Kylian Mbappe.

Sulmuesi i Realit, duke folur për CBS pas ndeshjes së fundit në Ligën e Kampionëve, pranoi se nuk e sheh veten si fitues dhe zbuloi se do ta ndjekë galanë nga shtëpia.

“Për të fituar ‘Topin e Artë’ duhet të fitosh trofe. Unë duhet të ndihmoj klubin tim të fitojë tituj dhe më pas do të shohim.

Do të jem i lumtur nëse Dembele e fiton, sepse është miku im dhe e kam mbështetur gjithmonë. Do ta ndjek në televizion dhe shpresoj që ai ta marrë çmimin”, deklaroi Mbappe.

As dy yjet e tjerë të Real Madridit të nominuar në listën me 30 kandidatët, Jude Bellingham dhe Vinicius Junior, nuk do të jenë të pranishëm në ceremoni.

Megjithëse Mbappe e mbylli sezonin e kaluar me shifra mbresëlënëse – 44 gola në 59 ndeshje – mungesa e trofeve madhorë me Real Madridin (La Liga, Liga e Kampionëve dhe Kupa e Mbretit) ka ndikuar që ai të mos konsiderohet favorit për këtë vit.

Megjithatë, forma e tij e shkëlqyer në fillim të sezonit e bën një nga pretendentët kryesorë për edicionin e ardhshëm.



Read it all at Bota Sot