Në periferi të Moskës është gjetur trupi i 50-vjeçarit, Alexander Tyunin, drejtorit të përgjithshëm të kompanisë NPK Khimprominzhiniring, degë e gjigantit shtetëror bërthamor Rosatom.
Tyunin ishte shtrirë pranë veturës së tij në një rrugë afër pyllit, dhe pranë tij janë gjetur një pushkë gjuetie dhe një letër lamtumire, raporton thesun.
Sipas The Moscow Times më 19 shtator, në letrën e tij ai ka thënë se ka vendosur të përfundojë jetën për shkak të depresionit që është përkeqësuar gjatë pesë viteve të fundit dhe që, siç shkroi, "çdo vit bëhej gjithnjë e më keq".
Megjithëse mediat shtetërore ruse si TASS nxituan ta quajnë rastin vetëvrasje, vdekja e Tyuninit vazhdon një seri shqetësuese vdekjesh të pazbardhura mes drejtuesve të lartë në sektorët energjetik, bërthamor dhe industrial rus që prej fillimit të pushtimit të Ukrainës.
Tyunin ka drejtuar Khimprominzhiniring që nga prilli i vitit 2016, duke mbikëqyrur prodhimin e kompozitave të karbonit për përdorim në aviacion, energjetikë dhe industri.
Kompania më pas iu bashkua Umatexit, divizionit të Rosatomit të specializuar në materiale të avancuara, i cili në shkurt 2023 u vendos nën sanksione amerikane.
Ai është tani menaxheri i 20-të i lartë rus që ka vdekur në rrethana misterioze që nga shkurti 2022. Për t’u kujtuar, më 8 shtator në rajonin e Kaliningradit autoritetet zbuluan trupin e Alexey Sinicinit, drejtor i një kompanie minerare.
Në gusht, vdekjet e papritura të Dmitrij Osipovit, kryetar i Uralkali, dhe Mikhayl Keninit, themelues i gjigantit të ndërtimit Samolet, ngjallën gjithashtu pyetje.
Këto vdekje ndodhin në një kohë kur ekonomia ruse po ngadalësohet thuajse në një bllokim. Drejtori ekzekutiv i Sberbank, Herman Gref, së fundmi paralajmëroi për një "stagnim teknik" dhe një rritje të PBB-së që po afrohet zero, duke sinjalizuar presion gjithnjë e më të madh mbi industrinë dhe familjet.