Sulmi kibernetik “paralizon” disa aeroporte evropiane, përfshirë Heathrow-n

- Bota Sot

Sulmi kibernetik “paralizon” disa aeroporte evropiane, përfshirë Heathrow-n

Heathrow është ndër disa aeroporte evropiane të prekura nga një sulm kibernetik që ka ndikuar në sistemin elektronik të regjistrimit dhe bagazheve.

Aeroporti paralajmëroi për vonesa të mundshme për shkak të një “problemi teknik” që lidhet me softuerin e ofruar nga kompania Collins Aerospace për disa linja ajrore.

Aeroporti i Brukselit tha se një sulm kibernetik të premten mbrëma ka bërë që pasagjerët të regjistrohen dhe të hipin në avion në mënyrë manuale, ndërsa edhe Aeroporti Brandenburg në Berlin raportoi kohë më të gjata pritjeje për shkak të këtij problemi.

RTX, kompania që zotëron Collins Aerospace, tha se është “në dijeni të një ndërprerjeje të lidhur me sigurinë kibernetike” në sistemin e saj në “disa aeroporte të përzgjedhura” dhe se po punon për ta zgjidhur sa më shpejt problemin.

Kompania shtoi: “Ndikimi është i kufizuar vetëm në regjistrimin elektronik të klientëve dhe dorëzimin e bagazheve, dhe mund të kompensohet me regjistrim manual.”

Sipas kompanisë, sulmi ka prekur softuerin Muse i cili u mundëson linjave të ndryshme ajrore të përdorin të njëjtat sportele regjistrimi dhe porta hipjeje në një aeroport, në vend që të kenë sportelet e tyre të dedikuara.

BBC mëson se British Airways po operon normalisht duke përdorur një sistem rezervë, por shumica e linjave të tjera që operojnë nga Heathrow janë prekur.

Sipas faqes së ndjekjes së fluturimeve FlightAware, qindra fluturime janë vonuar gjatë së shtunës në këto aeroporte.

Aeroporti i Dublinit tha se ai dhe Aeroporti i Cork-ut kanë përjetuar një “ndikim të vogël” nga sulmi kibernetik, me disa linja ajrore që kanë kaluar në proces regjistrimi manual.

Lucy Spencer tha se kishte më shumë se dy orë që po qëndronte në radhë për t’u regjistruar për një fluturim të Malaysia Airlines, dhe se stafi po etiketonte bagazhet dhe po regjistronte pasagjerët manualisht, përmes telefonit.

“Ata na thanë të përdorim kartat e imbarkimit në telefon, por kur shkuam te portat, nuk funksiononin – tani na kanë kthyer sërish te sportelet e regjistrimit,” tha ajo për BBC nga Terminali 4 i Heathrow-t, duke shtuar se shihte qindra njerëz që prisnin në radhë.

Një tjetër pasagjere, Monazza Aslam, tha se kishte më shumë se një orë që po qëndronte në avion në pistë “pa asnjë ide kur do të fluturojmë”, dhe se tashmë kishte humbur lidhjen e fluturimit të radhës në Doha.

“Jam në Heathrow me prindërit e mi të moshuar që nga ora 05:00,” tha ajo, duke shtuar: “Jemi të uritur dhe të lodhur.”



Read it all at Bota Sot