Lazio – Roma, alarm për përplasje huliganësh në derb

- Bota Sot

Lazio – Roma, alarm për përplasje huliganësh në derb

Dita e diel, ora 12:30, do të sjellë një nga ndeshjet më të nxehta të sezonit: derbin roman mes Lazios dhe Romës. Atmosfera në kryeqytet është gjithnjë e tensionuar kur përballen këto dy skuadra, por këtë herë shqetësimi është edhe më i madh për shkak të mundësisë së përplasjeve mes tifozërive, të cilat do të kenë mbështetje nga ultras të huaj.

Kujtimet e 13 prillit, kur u shënuan 24 policë të plagosur dhe 6 tifozë të arrestuar, janë ende të freskëta. Për këtë arsye, autoritetet kanë parashikuar masa të rrepta sigurie, duke blinduar stadiumin “Olimpico” dhe zonat përreth.

Në Curva Nord, sektor i tifozëve të Lazios, priten grupe të lidhura me Lokomotive Leipzig (Gjermani), Wisla Krakow (Poloni), Levski Sofia (Bullgari) dhe West Ham (Angli).

Nga ana tjetër, Curva Sud e Romës mund të ketë mbështetës nga Panathinaikos (Greqi), Atletico Madrid (Spanjë) dhe Dinamo Zagreb (Kroaci). Këto miqësi janë krijuar gjatë viteve, shpesh të bazuara mbi afërsi ideologjike dhe politike të dy tifozërive kryesore të kryeqytetit italian.

Prefekti i Romës ka kërkuar mobilizimin maksimal të forcave të rendit. Zonat e ndjeshme, përfshirë rrugët drejt stadiumit dhe ‘pub’-et ku zakonisht grumbullohen ultrasit, do të jenë nën kontroll që nga e shtuna në mbrëmje. Qëllimi është të shmangen skenat e dhunshme si ato të derbit të shkuar, kur në mëngjesin e ndeshjes rreth 400 tifozë u përplasën te ura “Ponte Duca d’Aosta”, duke detyruar policinë të ndërhyjë e të sekuestrojë mjete të rrezikshme si kaska, shkopinj dhe kaçavida.

Derbi i kryeqytetit, një spektakël i madh sportiv, rrezikon kështu të shoqërohet sërish nga tensione të forta brenda dhe jashtë fushës.



Read it all at Bota Sot