Manchester United mori një fitore të rëndësishme ndaj Chelseat me rezultatin 2-1 të shtunën, por pas ndeshjes vëmendjen e mori një incident mes ish-“blutërit” Mason Mount dhe mesfushorit argjentinas Enzo Fernandez.
United u imponua në “Old Trafford” falë golave të Bruno Fernandes dhe Casemiro, ndërsa për Chelsean shënoi Trevoh Chalobah. Sfida pati gjithashtu dy kartonë të kuq: portieri Robert Sanchez u ndëshkua pas vetëm pesë minutash për një ndërhyrje të ashpër ndaj Bryan Mbeumo, ndërsa pak para pushimit edhe Casemiro u përjashtua me dy kartonë të verdhë.
Megjithatë, pas vërshëllimës së fundit, kamerat kapën një moment tensioni: Mount dhe Fernandez u përplasën, duke shkëmbyer shtyrje dhe fjalë të ashpra, derisa u ndanë nga shokët e skuadrës.
Ky nuk është përballja e tyre e parë. Kujtojmë se në prill 2024, gjatë fitores dramatike 4-3 të Chelseat ndaj United në “Stamford Bridge”, ata patën një tjetër incident. Atëherë, pas golit të vonë të Cole Palmer, Fernandez e festoi duke goditur stemën e klubit në sy të Mount dhe duke i bërtitur, pas një momenti tensioni kur mesfushori anglez kishte vonuar lojën me qëllim.
Këtë herë, ishte Mount dhe United që dolën fitimtarë, duke i dhënë fund serisë së pamposhtur të Chelseat në Premier League.
Manchester United do të rikthehet në fushë javën e ardhshme kundër Brentford, në “Gtech Community Stadium”.,