Macron: Lirimi i pengjeve në Gaza kusht për hapjen e një ambasade franceze në Palestinë

- Bota Sot

Macron: Lirimi i pengjeve në Gaza kusht për hapjen e një ambasade franceze në Palestinë

Franca po e bën lirimin e pengjeve të mbajtura në Gaza nga Hamasi një kusht për hapjen e një ambasade në Palestinë, tha Emmanuel Macron në një intervistë të transmetuar sot në CBS, në prag të njohjes së shtetit palestinez nga Parisi.

”Lirimi i tyre është një kusht i qartë para se të hapim një ambasadë”, tha presidenti francez në anglisht në një intervistë të regjistruar të enjten në Paris.

Franca ka një konsullatë të përgjithshme në Jerusalem, e cila e përfaqëson atë tek Autoriteti Palestinez.

Ambasada franceze në Izrael ndodhet në Tel Aviv.

Pritet që Franca ta njohë zyrtarisht shtetin palestinez, së bashku me një duzinë vendesh të tjera, në një samit të hënën, në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

I pyetur nga gazetari në programin “Face the Nation” nëse ai nuk po e bënte lirimin e pengjeve një kusht për këtë njohje, ai u përgjigj se “për ne, do të jetë një kusht i qartë para hapjes, për shembull, të një ambasade në Palestinë.”

“Ky kusht është i pari në një seri parakushtesh që ne do të mbrojmë brenda procesit të paqes. Por, më 22 shtator ne do ta shpallim njohjen e një shteti palestinez”, u përgjigj presidenti francez në një intervistë të rrallë ekskluzive me një kanal amerikan.

Edhe para këtij samiti, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe Australia e njohën sot zyrtarisht shtetin palestinez.

Emmanuel Macron, i cili thotë se dëshiron të “izolojë” Hamasin, sulmon kryerjen e operacioneve izraelite në Gaza.

“Ajo që po ndodh është se, de facto, po vriten shumë civilë dhe plani është të zhvendosen njerëzit. Kështu që mendoj se është një gabim i madh”, tha ai për CBS të enjten.

Ai gjithashtu denoncoi “çmendurinë” e një plani të mundshëm për të evakuuar të gjithë palestinezët nga Rripi i Gazës para rindërtimit të territorit palestinez.

“Ne nuk mund të jemi, në mënyrë implicite ose eksplicite, të jemi të vetëkënaqur për një plan të tillë”, theksoi Macron.



Read it all at Bota Sot