Politikanët e Vojvodinës: Serbia midis autoritarizmit dhe rrugës evropiane

- Bota Sot

Politikanët e Vojvodinës: Serbia midis autoritarizmit dhe rrugës evropiane

Serbia po kalon një krizë të thellë politike dhe shoqërore, të cilën e karakterizojnë korrupsioni, dhuna dhe sundimi autoritar, kanë vlerësuar për RTK2 politikanët opozitarë nga Vojvodina. Pas tragjedisë në Novi Sad, qytet që është bërë simbol i protestave qytetare, ata paralajmërojnë që autoritetet të marrin përgjegjësi dhe të ndryshojnë rrjedhën e vendit.

Politikanët opozitarë të Vojvodinës po paralajmërojnë gjithnjë e më zëshëm se Serbia ndodhet në një krizë të thellë politike dhe shoqërore, ndërsa Novi Sadi, ku pas tragjedisë nisi kryengritja qytetare, është shndërruar në simbol të rezistencës.

Një pjesë e opozitës vojvodinase thekson se korrupsioni, rrënimi i institucioneve dhe represioni i kanë nxjerrë qytetarët në rrugë, ndërsa protestat po vazhdojnë tashmë më shumë se dhjetë muaj. Mesazhi i tyre është se bëhet fjalë për një kërkesë legjitime për rikthimin e besimit tek institucionet dhe forcimin e rrugës evropiane të Serbisë.

Lideri i Lidhjes së Socialdemokratëve të Vojvodinës, Bojan Kostresh, vlerëson se tragjedia e ndodhur si pasojë e shembjes së mbulesës së Stacionit Hekurudhor në Novi Sad, ku humbën jetën 16 persona, është rezultat i korrupsionit sistematik.

“Në Vojvodinë nuk ka ndodhur një tragjedi, por një vrasje, si pasojë e korrupsionit. Serbia është një shoqëri kaq e shkatërruar e e rrënuar, sa korrupsioni dhe keqpërdorimi i pozitës çojnë deri në vdekjen e njerëzve. Qytetarët kanë plotësisht të drejtë të ngrihen dhe të kërkojnë përgjegjësi dhe hetim. Shteti u përpoq ta fshehë, por kjo po kthehet si bumerang”, tha ai

Për Goran Jeshiqin, liderin e lëvizjes Solidarnost, Serbia ndodhet në prag të një ndryshimi të madh politik, ndërsa represioni është shndërruar në mjetin themelor të mbijetesës së pushtetit.

Jeshiq  i cili vetë u arrestua gjatë protestave teksa përpiqej të parandalonte ndalimin e një të riu, thekson se kriza politike në Serbi mund të zgjidhet vetëm në mënyrë politike, dhe se zgjedhjet janë dalja e vetme nga situata aktuale.

“Në Novi Sad tashmë prej dhjetë muajsh po shtypen protestat, dhe kulminacioni ishte kur policia hodhi gaz lotsjellës mbi qytetarët paqësorë dhe i arrestoi ata në mes të natës. Ky është një provë flagrante se pushteti nuk zgjedh mjete, se represioni është bërë mjeti kryesor i mbijetesës së regjimit. Por kjo është edhe një drejtësi historike, sepse ajo që nisi në fund të viteve tetëdhjetë, këtu duhet edhe të përfundojë”, tha ai.

Sipas vlerësimit të politikanëve të Vojvodinës, regjimi i Aleksandar Vuçiqit po përsërit modelet e viteve ’90, ndërkohë që shoqëria në Serbi po përballet me përshkallëzim të dhunës policore dhe humbje të besimit në institucione.

Kostresh thekson se Vojvodina ka një traditë të gjatë të vlerave evropiane dhe se pikërisht këtu nis rezistenca kundër politikës “të centralizuar dhe hegjemone” të Beogradit.

“Vojvodina është pjesa e Serbisë që gjithmonë ka qenë më afër vlerave evropiane dhe idesë së Bashkimit Evropian. Pikërisht këtu lind kryengritja kundër politikës hegjemone që zhvillohet nga Beogradi, politikë që synon zgjerimin me dhunë të ‘botës serbe’ në rajon. Vojvodinasit duan një shoqëri normale dhe një shtet që është pjesë e BE-së. Prandaj i shihni protestat në rrugë; përballja politike me këtë politikë radikale ka filluar dhe është vetëm çështje kohe kur do të përfundojë”, tha ai.

Jeshiq vlerësoi se pushteti në Serbi sot po përdor të njëjtat metoda si në vitet ’90, kur qytetarët i paguanin shtrenjtë luftërat dhe abuzimet politike.

“Kemi të instaluara forca nacionaliste, të cilat kanë për detyrë thjesht të çmontojnë këtë shtet, ndërkohë që pushteti i përdor institucionet për interesa private. Ky është fytyra e fashizmit. Sot kemi drejtësi historike, ajo që nisi në fund të viteve tetëdhjetë duhet të përfundojë, gjithë kjo parodi e narrativës nacionaliste që na solli deri këtu”, tha ai.

Politikanët e Vojvodinës i bëjnë thirrje pushtetit të ndalë represionin, të hapë institucionet dhe të garantojë lirinë e mediave. Siç theksojnë ata, Serbia ndodhet në një udhëkryq dhe duhet të zgjedhë mes autoritarizmit dhe rrugës evropiane.



Read it all at Bota Sot