Ferran Torres ka ndezur konkurrencën në sulmin e Barcelonës, duke dërguar një mesazh të qartë për Robert Lewandowskin dhe këdo tjetër që synon të jetë lider te katalanasit, forma e tij po bën jehonë në Camp Nou.
Pas paraqitjes së tij të shkëlqyer ndaj Getafes, ku realizoi dy gola në fitoren 3-0 të katalanasve, Ferran deklaroi:
"Dua të bëhem sulmuesi kryesor i Barcelonës. Çdo ndeshje ndjehem më i pjekur dhe rritem gjithnjë e më shumë".
Me 4 gola dhe 1 asist në gjashtë ndeshjet e para të sezonit, forma e Ferranit është bërë temë diskutimi në radhët e ekspertëve të La Ligës.
Që nga sezoni i kaluar, Torres ka shënuar 14 gola dhe ka dhënë 7 asistime në vetëm 17 ndeshje si titullar, një statistikë që tregon efikasitet dhe kontribut konstant në fushë.
Gazetari i La Ligës, Javi Giorgetti, vlerëson lart formën aktuale të sulmuesit spanjoll:
“Ky është versioni më klinik i Ferran Torres. Këtë sezon ai ka nisur si titullar në 5 ndeshje dhe në 4 prej tyre ka qenë i përfshirë direkt në gol. Është mbresëlënëse që gjithmonë arrin të ketë ndikim”.
Forma e tij e shkëlqyer mund të krijojë konkurrencë serioze në sulmin e Barcelonës dhe ta vendosë në qendër të planeve të trajnerit për pjesën tjetër të sezonit.